Amerikanët e Teksas: Nuk do largojmë punëtorët nga ARMO
Fabiola Çela
Asnjë punëtor nuk do të largohet nga puna pas privatizimit të kompanisë së naftës ARMO. Kështu është shprehur dje në një deklaratë për mediat Rezart Taçi, drejtori i përgjithshëm i kompanisë amerikane nga Teksasi. Madje, sipas tij, që në muajin e parë të punës ata do të rrisin me 30 për qind pagat e punonjësve. Konsorciumi amerikan "Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group", është vlerësuar me 93.14 pikë nga Komisioni i Vlerësimeve në Ministrinë e Ekonomisë. Në këtë mënyrë ata janë renditur në krye të listës së kompanive që duan të privatizojnë ARMO-n. Ky konsorcium ka ofruar 125 milionë euro për blerjen e 85% të aksioneve shtetërore të ARMO-s.
Privatizimi
"Nuk do të ketë asnjë largim nga puna për punonjësit e kompanisë ARMO, dhe për shkak të shkallës së investimeve që do të bëhen, do të ketë punësime të reja në staf dhe punonjës. Që në muajin e parë të punës nga ne, do të ketë rritje 30% të pagave për të gjithë punonjësit", ka deklaruar dje Taçi. Në tenderin e zhvilluar pak ditë më parë, konsorciumi i kompanisë amerikane nga Teksasi ofruan më shumë para se çdo kompani tjetër pjesëmarrëse në tender. "Çmimi që u ofrua është një çmim kredibiliteti për tregun shqiptar dhe nuk është asnjëherë shumë, kur mendoj edhe si shqiptar, se ai do të shkojë për investime të reja në shkolla, në infrastrukturë për Shqipërinë", tha Taçi. Sipas tij, kjo shumë do të derdhet brenda 24 orëve në buxhetin e shtetit shqiptar, që nga momenti kur Kuvendi të ratifikojë kontratën e shitjes së 85% të aksioneve të ARMO-s. Në deklaratën e tij të parë për mediat si drejtor i këtij konsorciumi, Taçi premtoi vendosjen e çmimit tavan për karburantet, pasi konsorciumi do të kërkojë që të përpunojë në rafineritë e ARMO-s të gjithë naftën e nxjerrë nga nëntoka shqiptare. Përveç presidentit të "Anika Enterprises", Rezart Taçi, në konferencën e djeshme merrnin pjesë edhe presidenti i "Refinery Associates of Teksas", Joseph Desormeaux, si dhe zëvendëspresidenti i kompanisë "Mercuria Energy Group", David Ensor. Kompania ARMO është krijuar në vitin 1999 dhe kapitali i saj arrin në vlerën e rreth 43 milionë eurove. Asetet kryesore të kompanisë janë dy impiante rafinerie në Ballsh dhe Fier, të cilët janë ndërtuar rreth 40 vjet më parë. Pjesë e saj janë edhe një numër pikash të tregtimit të vendosura kryesisht në zona jo shumë të zhvilluara. ARMO është njëra prej dy kompanive shtetërore në Shqipëri, që veprojnë në sektorin e naftës dhe nënprodukteve të saj.
Ankesa për renditjen e fituesve
Konsorciumi "Vitol Us Balkan Funds Euroil" ka kundërshtuar vlerësimin e bërë për renditjen e kompanive fituese për privatizimin e ARMO-s. Në një intervistë të dhënë dy të ditë më parë për gazetën "Panorama", Joseph Atias, Drejtor Menaxher i US Bakan Capital Fund, ka deklaruar se kompania nga Teksasi duhej përjashtuar. Madje, ai ka deklaruar se do të depozitojnë ankesën zyrtare pranë ministrisë brenda pesë ditëve.