E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia: Mediu ministër i Mjedisit

06/09/2009  Vendimi u mor pasditen e djeshme pas dy orësh mbledhje

Negociatat shtyjnë krijimin para 7 shtatorit të qeverisë së re

Partia Republikane do të përfaqësohet në kabinetin e ri “Berisha” me ministrin e saj, Fatmir Mediu, i cili do të kryesojë Ministrinë e Mjedisit. Vendimi është marrë dje në mbrëmje nga kryesia e Partisë Republikane, e cila në unanimitet pas dy orësh diskutimi me dyer të mbyllura ka votuar kandidaturën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, për të përfaqësuar këtë forcë politike në kabinetin e ardhshëm qeveritar. Po ashtu kjo forcë politike, sipas vendimit të kryesisë, pritet të negociojë edhe për nivele të tjera përfaqësuese në nivel qendror me Partinë Demokratike. Këtë vendim të forumit të saj PR-ja do tia paraqesë kryeministrit Berisha për ti mbyllur përfundimisht negociatat me kreun e qeverisë për këtë çështje. Diskutimet për kreun e dikasterit që deri tani është mbajtur nga agrari Xhuveli dhe ato për postet të tjera në qeveri do të sjellin vonesën e krijimit të qeverisë nga data që vetë kryeministri kishte parashikuar. Në konferencën e tij të disa ditëve më parë Berisha garantoi se qeveria do të jetë gati para 7 shtatorit, kohë kur nis legjislacioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Por, pavarësisht kësaj, ai do të jetë gati brenda afateve kushtetuese, sipas të cilave parashikohet votimi në seancën e 14 shtatorit. Mosmarrëveshje dhe ankthe për postet brenda qeverisë së re ka edhe brenda Partisë Demokratike, ku kalimi nga njëri post tek tjetri i ministrave brenda kabinetit apo edhe në postet brenda PD-së ka lënë për pak kohë në vend vendimet e kreut të qeverisë për Këshillin e ri të Ministrave. Tensionin e kryeministrit për këtë e kanë treguar edhe takimet e përditshme që ai ka zhvilluar me nënkryetaren e PD-së Jozefina Topalli dhe sekretarin e përgjithshëm Ridvan Bode.

Kryeministri Berisha takon kryerepublikanin Fatmir Mediu për aleancën qeverisëse

Mediu: Askush nuk vë në dyshim përfaqësimin politik

Pritet nënshkrimi i marrëveshjes, ku PR-ja do të marrë një post në kabinetin qeveritar

Kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim të veçantë kryetarin e Partisë Republikane Fatmir Mediu, me të cilin ka diskutuar mbi përfaqësimin e PR-së në qeverisjen e vendit. Ky takim kokë më kokë ka zgjatur për rreth një orë dhe kryerepublikani Mediu i ka bërë të qartë shefit të ekzekutivit aktual dhe atij të ri kërkesat e partisë që përfaqëson. Pas këtij takimi numri një i republikanëve ka lënë të kuptohet se mund të jetë ai personi që mund të përfaqësojë PR-në në kabinetin e ri qeveritar. Mediu tha për mediet se me kreun e qeverisë ka diskutuar vetëm në parim përfaqësimin e partisë së tij në qeveri dhe çdo vendim tjetër në lidhje me këtë mbetet për tu marrë nga strukturat e Partisë Republikane. “Fatmir Mediu është kryetar i republikaneve, deputet i republikanëve dhe nuk mendoj se ndonjë njeri vë në dyshim përfaqësimin politik të Fatmir Mediut. Ne diskutuam me kryeministrin për disa propozime konkrete, megjithatë do të mblidhet kryesia e PR-së, e cila do të marrë qëndrimin e saj në raport me propozimet e kryeministrit, kërkesat e PR-së dhe pastaj me vendimet e nevojshme që janë për përfaqësimin e të gjithë individëve”, - deklaroi për mediet kryetari i PR-së pas takimit me Kryeministrin Berisha. Kryerepublikani ka thënë se gjithë negociatat e zhvilluara me kreun e qeverisë do tia përcjellë lidershipit të forcës së tij politike, ku dhe do të diskutojë ato. Sipas tij, pasi gjithçka të diskutohet me kryesinë e partisë, do të bëhet publike edhe qëndrimi i republikanëve. Por mësohet se në takimin e paradites së djeshme Mediu i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që PR-ja të marrë në dorë drejtimin e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Gjithashtu për Mediun republikanët duhet të përfaqësohen në kabinetin e ardhshëm qeveritar edhe me poste të nivelit të dytë qeverisës, ato të zëvendësministrave. Burimet bëjnë me dije se kryeministri Berisha ka pranuar në parim kërkesën e bërë nga kryerepublikani Mediu dhe pritet që gjatë ditës së sotme të nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisjen e vendit në katër vjetët e ardhshëm.

Duke iu referuar deklaratës se Kryeministrit Berisha se aleatët e tij do të përfshihen në qeverisje në mënyrë proporcionale me kontributin që kanë dhënë në fitoren e koalicionit të djathtë “Aleanca e Ndryshimit”, republikanët në daljet e tyre mediatike janë shprehur se përpos faktit se ato arritën të siguronin vetëm një mandat të vetëm për deputet falë votave që elektorati ka dhënë për llogari të kësaj partie, ajo i ka dhënë koalicionit të djathtë, që përbën mazhorancën politike, katër deputetë të tjerë. “Ne do të ecim në logjikën e proporcioneve të votave, si ka deklaruar dhe kryeministri, por në vlerën që përfaqëson PR-ja brenda koalicionit të djathtë. Ende nuk është vendosur asgjë dhe para se ti bëj të qarta vendimet në opinion publik do ti diskutoj ato me kolegët e kryesisë së PR-së”, - tha Mediu për gazetarët pas takimit me Berishën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›