E Diel, 1 Nëntor 2026

“28 qershori arritje pozitive për realizimin e zgjedhjeve të lira”

06/09/2009  Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë prezantojnë raportin përfundimtar për ecurinë e procesit

Rastet problematike u gjykuan pasojë e lojës politike të subjekteve garuese

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka dhënë notë pozitive për procesin zgjedhor të realizuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë prezantimit të raportit të tyre përfundimtar vëzhguesit vendorë vlerësuan se në tërësinë e tyre zgjedhjet prodhuan arritje pozitive në rrugën për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës për zgjedhje demokratike si dhe me legjislacionin shqiptar. Ata përmendën edhe problematikën që i shoqëroi, e cila, siç thanë ata, ishte produkt i lojës politike midis partive dhe subjekteve zgjedhore. Në mënyrë të veçantë u vlerësua edhe puna e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve dhe e Kolegjit Zgjedhor, si e pavarur dhe transparente. Në përfundim të vlerësimeve KVV paraqiti edhe rekomandimet përkatëse si për Kodin Zgjedhor, ashtu dhe për përbërjen e administratës zgjedhore. Për vëzhgimin e këtij procesi zgjedhor KVV aktivizoi rreth 396 vëzhgues afatgjatë dhe rreth 2450 vëzhgues afatshkurtër, duke qenë i pranishëm në qendrat e votimit në të gjitha zonat urbane, në rreth 20 për qind të zonave rurale dhe në 100 për qind të vendeve të numërimit të votave.

Vlerësime

“Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 28 qershor 2009 treguan se vendi ynë, klasa politike shqiptare, zgjedhësit shqiptarë dhe shoqëria në përgjithësi janë të ndërgjegjësuar për përgjegjësitë e mëdha që ka anëtarësimi i vendit në NATO. Këto zgjedhje evidentuan përpjekjet e bëra nga vendi ynë në plotësim të detyrimeve që rrjedhin nga ky anëtarësim si dhe për arritjen e objektivit madhor: anëtarësimi në BE. Ne i vlerësojmë këto zgjedhje si një kontribut dhe arritje pozitive në procesin kompleks të zhvillimit demokratik të Shqipërisë”, - theksoi kreu i KVV-së, Kristaq Kume, gjatë një prezantimi mediatik. Ai tha gjithashtu se përgatitjet dhe niveli i zhvillimit të infrastrukturës zgjedhore, legjislative, teknike e administrative të nevojshme për zgjedhjet, me gjithë ngarkesën politike që i shoqëroi, e cila në disa raste apriori vuri në dyshim rezultatet, vlerësohen si argumente pozitive për arritjet në rrugën e plotësimit të standardeve të zgjedhjeve për një vend anëtar të NATO-s dhe që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Administrata zgjedhore

Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë administrata zgjedhore në përgjithësi bëri përpjekje për të zbatuar me kompetencë profesionalizëm dhe transparencë detyrimet ligjore për organizimin dhe zhvillimin e procesit zgjedhor. Por u veçuan edhe mangësi dhe raste të mungesës së profesionalizmit dhe të ushtrimit të detyrës nën presionin politik. “KQZ-ja si institucioni kryesor përgjegjës për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve në të gjithë aktivitetin e tij në përgjithësi u tregua profesional dhe transparent. Përkatësia politike e anëtareve të tij u shfaq në mënyrë të dukshme veçanërisht gjate procesit të administrimit të ankimimeve të bëra nga subjekte të ndryshme politike pas ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave”, - tha Kume. Ndërsa KZAZ-të, megjithëse sipas ligjit janë institucione të përhershme, pjesë e administratës së zgjedhjeve, që duhet të jetë profesionalisht të përgatitura, për KVV-në akoma nuk kanë arritur standardet që do të garantonin një administrim profesional të procesit zgjedhor, në përputhje me ligjin. Po kaq joprofesionale dhe më shumë të ndikuara politikisht u vlerësuan edhe komisionet e qendrave të votimit dhe grupet e numërimit të votave. Problematike u konsideruan vonesat në konstituimin e tyre, rrjedhojë e propozimeve të vonuara të partive politike, të cilat ndikuan negativisht në efektin e pritur dhe të synuar në procesin e trajnimit të tyre dhe, për pasojë, edhe në performancën profesionale e administrative të tyre. KVV i vlerësoi pozitive investimet për përdorimin e teknikës mbështetëse në procesin e vlerësimit dhe numërimit të votave për të siguruar në nivelet maksimale të mundshme transparencën në këtë proces të administrimit të votave.

Fushata zgjedhore

Punonjësit publikë janë angazhuar me detyrim në tubime

Ndonëse në tone të qeta, fushata zgjedhore për KVV-në u shoqërua edhe me tone negative dhe manifestime artistike. Në funksion të saj, në shkelje të ligjit koalicionet përmendin angazhimet në formë të detyruar të marrin pjesë në manifestimet politike. “Në funksion të fushatës zgjedhore, në jo pak raste dhe në kapërcim të ligjit u përdorën dhe u zhvilluan aktivitete institucionale, inaugurime etj., u angazhuan, deri edhe në formë të detyruar, punonjës të institucioneve publike, të organeve të pushtetit vendor, nxënës e mësues, mjete dhe infrastruktura të institucioneve publike. Fushatat e partive dhe subjekteve të ndryshme zgjedhore ishin ndër më luksozet dhe të shtrenjtat, ndërkohë që asnjë nga këto subjekte nuk bëri transparente burimet e fondeve të përdorura”, - theksohet në raportin përfundimtar. Po ashtu në të vlerësohet se fushata pati një theksim të fortë mediatik, platforma e të cilit si dhe produktet e transmetuara në të shumtën e rasteve ishin të dirigjuara tërësisht nga forcat politike, u mbizotërua nga gara elektorale e lidershipeve politike. Ndërkohë që kandidatët vetëm me disa përjashtime të rralla nuk u përfshinë në këtë garë si aktorë parësorë, por në pjesën më të madhe ata shërbyen si dekor për fushatën e lidershipeve korresponduese.

Realizimet dhe problematika e procesit të fundit zgjedhor

Kolegji Zgjedhor dhe KQZ-të vepruan profesionalisht

Balancimi politik dhe përfaqësia politike në administratën zgjedhore, votimi familjar, mungesa e emrave të zgjedhësve në listë janë disa nga problematikat e vërejtura nga KVV gjatë vëzhgimit të procesit. Ndërkohë më e madhe rezulton të jetë lista e çështjeve që janë vlerësuar pozitive nga ky koalicion. Lista e zgjedhësve u vlerësua më e mira deri tani, ndërkohë që u respektua në këto zgjedhje e drejta zgjedhësve me aftësi të kufizuar, por nota pozitive janë dhënë edhe për dy institucionet kryesore të procesit: KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor. “Shqyrtimi i ankimimeve nga KQZ-ja në tërësinë e tij u realizua në përputhje dhe zbatim të Kodit Zgjedhor. Këtë përfundim e përforcon edhe fakti se nga vendimet e ankimuara të KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor nga 21 prej tyre vetëm 3 u hodhën poshtë prej këtij Kolegji. Përbërja politike e këtij komisioni, megjithëse në një numër të konsiderueshëm vendimmarrjesh, u shfaq dukshëm dhe në përgjithësi nuk arriti dhe nuk prodhoi efekte negative, domethënëse në punën e këtij komisioni. Kolegji zgjedhor veproi si një organ i pavarur. Vendimmarrja e tij iu shmang presionit politik dhe, pavarësisht nga konsideratat që subjekte politike deklaruan për të, me veprimet e tij ai ndikoi në mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor”, - vijon raporti. Po ashtu transporti i materialeve zgjedhore si dhe nxjerrja e rezultatit ishin të tjera çështje pozitive të këtij procesi.

Sugjerimi

Koalicioni e sugjeron të parakohshme që në tryezën e diskutimeve të ardhshme për reformën zgjedhore të shtrohet edhe problemi i ndryshimeve në sistemin zgjedhor.

Sipas tij, nëse klasa politike vendos të trajtojë edhe këtë problem, KVV rekomandon ndryshime në nivelin e Kodit Zgjedhor, duke pasur si objektiv të tyre gjetjen e rrugëve që të mundësojnë përkthimin sa më të mirë të mundshëm të të gjitha votave për të gjitha subjektet zgjedhore në Kuvend, si dhe ndryshim i sistemit zgjedhor nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar.

Rekomandimet

Zgjerim i hapësirës për aleanca parazgjedhore, që do të thotë: mundësi për krijim të koalicioneve të tipave të ndryshme; koalicion të përbërë me lista të veçanta për çdo parti anëtare të tij; koalicion të thjeshtë, që garon me një listë të përbashkët, të hapur për të gjitha subjektet; mundësi për krijim koalicionesh të ndryshme në rajone të ndryshme.

Rishqyrtimin e problemeve që lidhen me balancat dhe përfaqësimin politik në komisionet zgjedhore, duke pasur si trend zhvillimi krijimin e një administrate teknike për administrimin e proceseve zgjedhore.

Në Kod të parashikohen dispozita për të parandaluar votim në grup dhe/ose në familje. Vendosja e penaliteteve për komisionin e qendrës se votimit është një ndër rrugët që

mund të trajtohet.

Rivlerësimin e kushtëzimeve ligjore për domosdoshmërinë e transparencës në burimet e financimit dhe përdorimin e tyre prej subjekteve zgjedhore dhe kandidateve.

Anëtarët e KZAZ-ve (KQV-ve) duhet t’i nënshtrohen trajnimit të vazhdueshëm dhe jo vetëm në prag dhe gjatë fushatave zgjedhore, por gjatë gjithë periudhës midis dy proceseve zgjedhore.

Në Kod të parashikohen dispozita që mbështesin fillim e procesit të ndërtimit të një administrate zgjedhore me punonjës civilë. Koalicioni rekomandon që ky proces të fillojë me anëtarët e grupeve të numërimit të votave, të cilët në zgjedhjet e ardhshme për organet e pushtetit vendor të caktohen nga punonjës të administratës civile, si financierë, mësues etj. Sekretarë të KZAZ-ve të emërohen me short gjyqtarë nga trupat e gjyqtarëve të shkallës së parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›