Rama: “Do të kontestojmë në mënyrë ligjore rezultatin në Shkodër dhe në Berat”
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se Partia Socialiste do të luftojë me të gjitha mjetet ligjore që verdikti i popullit sovran të lexohet deri në fund. Rama theksoi gjithashtu se Partia Socialiste do të kontestojë me rrugë ligjore rezultatin në qarkun e Shkodrës dhe në qarkun e Beratit. “Ne e kontestojmë rezultatin në Shkodër dhe do ta ndjekim në rrugë ligjore. Ne e kontestojmë rezultatin në Berat dhe do ta ndjekim në rrugë ligjore. Pa asnjë mëdyshje do të përgatisim të gjithë paketën e kontestimeve dhe në rrugë ligjore do të kërkojmë që votimi i popullit për të gjitha ato zona dhe territore ku ne kemi arsye të plota të besojmë se ka pasur parregullsi të qëllimshme të dalë në dritën e diellit. Kjo nuk ka të bëjë aspak qoftë me ndonjë objektiv për të mos njohur në fund fare rezultatin e zgjedhjeve dhe aq më pak ka të bëjë me ndonjë objektiv për të nxitur, ashtu sikundër në mënyrën më abuzive kryeministri në detyrë e hodhi në eter, ndonjë revoltë njerëzish. Ne nuk jemi këtu për ta dëmtuar imazhin e Shqipërisë, ne jemi këtu për ta mbrojtur imazhin e Shqipërisë”, - u shpreh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
3 Korrik 2009