Imami: Shqipëria do ndërtojë 8 shkolla në Afganistan
Shqipëria do të ndërtojë tetë shkolla në Afganistan dhe do të ofrojë 100 bursa për studentët e këtij vendi. Këtë e bëri të ditur Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë një fjalimi të mbajtur në Ministerialin e NATO-s, i cili u zhvillua në Bratislavë të Sllovakisë më 22-23 tetor. Punimet e Ministerialit zgjatën dy ditë dhe Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s diskutuan tre çështje kryesore: Afganistani, Mbrojtja Raketore dhe transformimi Ushtarak. Në përfundim të Ministerialit, ministri Imami tha se Shqipëria në kuadër të angazhimit në Afganistan do të vazhdojë të japë kontribute të vlerësueshme, duke mbajtur kompaninë e ushtarakëve që ka atje dhe do të shtojë edhe një skuadër me 20 mjekë. “Do të ngremë tetë shkolla dhe do të presim duke filluar nga viti 2010, 100 studentë afganë që do të përfitojnë bursë studimi në Shqipëri”. Ministri Imami duke iu referuar edhe raportit të gjeneralit Mçhrystal, tha se raporti dhe përvoja e këtyre viteve tregon se ka nevojë për një qasje më gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të zgjidhen problemet afatgjata. Në përfundim të Ministerialit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbajti një konferencë për shtyp ku sqaroi çështjet të cilat u diskutuan gjatë punimeve të këtij ministeriali. Ai u shpreh se çështja më e rëndësishme që zuri hapësirat e diskutimit ishte ajo e Afganistanit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se e vetmja mënyrë që Afganistani të mos lejohet të kthehet në duart e terroristëve, është investimi për të forcuar kapacitetet ushtarake dhe të sigurisë të shtetit afgan. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, Sekretari Rasmussen foli edhe për çështjen e raketave që u diskutua në këtë ministerial. Ai tha se Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, mbajti një fjalim të shkurtër sqarues për qasjen e amerikanëve ndaj Mbrojtjes Raketore në Evropë. Ministrat e Mbrojtjes e mirëpritën faktin që qasja e re amerikane për mbrojtjen raketore evropiane, vendoset më shumë në kontekstin e NATO-s. Ai së fundmi tha se ky ministerial ishte shumë i suksesshëm.