Kryesia e PD përzgjedh kandidaturat për në zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen në datën 15 nëntor
Kryesia e Partisë Demokratike ka përzgjedhur sot kandidaturat e saj për zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit, në tre bashki dhe 2 komuna në vend. Zëdhënësja e Partisë Demokratike Erla Mëhilli tha sot se “ pas diskutimeve në mbledhjen e Kryesisë së vogël në PD, të drejtuar nga Kryeministri dhe njëkohësisht Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është vendosur për 5 kandidaturat më të përshtatshme për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit”. Ajo tha se “ për njësinë nr 10 në Tiranë kandidat është Blendi Fuga, komunën Fierzë në Pukë, Gjelosh Pepkolaj, Komunën Olltak në Berat Muharrem Hoxha , bashkinë Klos në Mat , Ramazan Mjeshtri dhe bashkinë Fushë-Arrëz, Alfred Qasa”. Këto kandidatura priten t’i përcillen sot KQZ për regjistrim, duke qenë se është edhe afati i fundit i paracaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për regjistrimin e kandidatëve të forcave elektorale për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit . Zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit zhvillohen në 5 njësi vendore pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ku krerët e këtyre njësive vendore fituan mandatin e deputetit.
...