Kryesia e PD-së mban peng zgjedhjet në Tiranë
Eljona Ballhysa
Kryesia e Partisë Demokratike po mban peng zhvillimin e zgjedhjeve për postin e kryetarit të Degës së PD-së së Tiranës. Struktura më e lartë drejtuese e selisë “blu” ka që nga muaji shtator që nuk zhvillon asnjë mbledhje. Kjo ka bërë që kandidatët e propozuar nga seksionet e PD-së së kryeqytetit të jenë të paqartë për kandidimin e tyre dhe për kriteret e zhvillimit të fushatës brenda partisë. Deputetët e PD-së bëjnë të ditur se nuk janë njoftuar nëse do të ketë së afërmi ndonjë mbledhje të mundshme të kryesisë, e cila duhet të përcaktojë detajet e zhvillimit të fushatës.
Ankesat
Pak kohë më parë, kandidati i vetëshpallur për postin e kryetarit të Degës së PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj, i dërgoi një shkresë sekretarit të Përgjithshëm të partisë, Ridvan Bode, të cilit i kërkoi përcaktimin e një kalendari për datat se kur do të mbahen zgjedhjet, mënyrën e zhvillimit të fushatës dhe mënyrën se si do të zhvillohet procesi zgjedhor në parti për këtë post të rëndësishëm. Por ende nuk ka një vendim zyrtar të kryesisë për mënyrën se si do të zgjidhet kryetari i degës. Në statutin e partisë përcaktohet se kandidaturat për kryetarë degësh propozohen nga anëtarësia e seksioneve të partisë, të cilat i dërgohen kryesisë qendrore. Është pikërisht kryesia qendrore, struktura më e lartë vendimmarrëse që shqyrton propozimet e bazës dhe bën seleksionimin e emrave të propozuar. Më pas mblidhet kuvendi i degës në të cilën zhvillohen zgjedhjet. Në kuvend marrin pjesë delegatët e seksioneve, të cilët votojnë për kandidatët për kryetarë dege. Por i gjithë ky proces mbetet peng i mbledhjes së kryesisë. Kjo ka bërë që kandidatët e propozuar për degën e Tiranës, e cila ka dhe vëmendjen më të madhe për shkak të rëndësisë politike që mbart ky post, të mos nisin fushatën zgjedhore pasi ende nuk dinë nëse do të përzgjidhen apo jo nga kryesia si kandidatë për këtë post.
Propozimet
Ndërkohë që kryesia qendrore ndodhet “në vend numëro” për këtë proces, seksionet e kryeqytetit kanë depozituar një sërë propozimesh me emra kandidatësh për postin e kryetarit të PD-së. Burimet nga kjo seli kanë bërë të ditur se deri tani janë propozuar 11 kandidatë për postin e kreut të PD-së së kryeqytetit. Ndër emrat më të spikatur vërehen emrat e tre ministrave të kabinetit “Berisha”. Por nuk mungojnë emrat e deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së dhe emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Ndër emrat e ministrave spikasin pikërisht ata që janë edhe deputetë të zonave elektorale të kryeqytetit, ku bëjnë pjesë Bujar Nishani, Majlinda Bregu e Lulzim Basha. Po kështu, në listën e propozimeve të bazës së PD-së së Tiranës bëjnë pjesë dhe ish-ministrat Besnik Mustafaj e Aldo Bumçi. Lista vazhdon me deputetët Lajla Pernaska e Edi Paloka. Më tej vijnë anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së, që janë propozuar për të drejtuar PD-në e Tiranës, si Arta Sakja, Arben Xhiku, Gjergj Bojaxhiu e Saimir Shehri. Por bëhet e ditur se në selinë e PD-së depozitohet çdo ditë një emër i ri për këtë post. Burimet bëjnë të ditur se emrat janë propozuar nga anëtarët e zonave elektorale ku këta individë kanë kontribuar dhe njihen më shumë. Deri tani, kandidati që e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij është ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ndërsa emrat e tjerë të propozuar do të kalojnë më parë filtrin e shqyrtimit nga kryesia qendrore e partisë.
7 Janar 2009