E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Të hapur për bashkëpunim, presim reflektimin e Partisë Socialiste



Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmon qëndrimin e saj të hapur për të realizuar bashkëpunimin me Partinë Socialiste në funksion të fitores së të majtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama, tha se hapësirat për dialogun në funksion të bashkëpunimit të dy forcave kryesore të opozitës janë gjithnjë të pranishme. Rama tha se LSI-ja mbetet e hapur për të realizuar këtë dialog dhe këtë bashkëpunim, ndërkohë që ai i bëri thirrje lidershipit të Partisë Socialiste që të reflektojë në lidhje me këtë çështje të rëndësishme. “Dëshiroj të theksoj që hapësirat për dialog në funksion të bashkëpunimit që mundëson maksimalizimin e votës së opozitës janë gjithnjë të pranishme. Ajo çfarë ka munguar lidhet me mungesën e vullnetit politik të drejtuesve të Partisë Socialiste, të cilët, të tërhequr në bashkëpunim, për arsye joparimore dhe jo në interes të vendit dhe të opozitës, janë bërë deri tani pengesë për të realizuar bashkëpunimin. Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet konstante në angazhimin e vet për bashkëpunim parimor dhe në të mirë të realizimit të zgjedhjeve në përputhje të standardeve demokratike dhe europiane dhe që të mundësojnë realisht administrimin dhe leximin e votës ashtu siç e japin qytetarët shqiptarë. Pra, pengesa asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë te LSI-ja”, - tha sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Rama foli gjithashtu edhe për situatën e rënduar në të gjitha shkollat e vendit si rezultat i kushteve të vështira atmosferike. “Kjo situatë tejet e rëndë nxjerr edhe një herë në pah jo vetëm mungesën e angazhimit dhe të përgjegjshmërisë në investimet e kryera, por, ç’është më e keqja, evidenton atë që është sëmundja më e rëndë që përjeton sot i gjithë sistemi shtetëror në Shqipëri, pra evidenton korrupsionin në investimet e kryera dhe nxjerr edhe një herë zbuluar demagogjinë dhe deklarata emfatike me të cilat shoqërohen inaugurimet e shkollave nga Tirana dhe në të gjithë territorin e vendit”, - tha sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›