FDE propozon shpalljen e 17 janarit si ditë lutjeje për kombin shqiptar
Forumi për Demokraci dhe Etikë prezantoi dje nismën më të fundit për të shpallur 17 janarin si ditë lutjeje dhe reflektimi kombëtar. Drejtori Ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini, theksoi se me këtë nismë FDE synon që qytetarët shqiptarë dhe bashkë me ta dhe politikanët të marrin pjesë në Marshimin e Paqes dhe të bëhemi pjesë dhe autorë të Aleancës së Madhe të Mirëkuptimit. “Alternativa jonë më e mirë për një shoqëri të drejtë, për një jetë më të mirë e më me shumë liri, mbetet në çdo rast e në çdo kohë partneriteti i politikanit me qytetarin”, - tha Galdini. Ai shtoi: “17 janari është dita kur ka ndërruar jetë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe lajtmotivi i gjithë jetës së tij ka qenë bashkimi, prandaj edhe ne kemi zgjedhur këtë ditë për të qenë ditë lutjeje dhe reflektimi kombëtar”. “FDE u bën thirrje të gjithë qytetarëve, demokratë dhe socialistë, monarkistë dhe republikanë, besimtarë dhe laikë, që të marrin pjesë në datën 17 janar në këtë lëvizje shprese kombëtare. Të lutemi të gjithë së bashku që në Shqipëri të ketë drejtësi. Të lutemi që shteti i ri i Kosovës të njihet gjerësisht dhe të forcojë demokracinë dhe lirinë në vend”, - përfundoi drejtori Ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini.
7 Janar 2009