E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizimi elektoral i PS-së, të deleguarit e Kryesisë raportojnë në Shtabin Qendror



Shaban Sulçe
Partia Socialiste njihet me rezultatet e para të procesit të organizimit të saj elektoral. Prej disa ditësh, në selinë rozë po raportohet për ecurinë e organizimit elektoral të strukturave socialiste në të 12 qarqet e vendit. Nga burimet në Partinë Socialiste bëhet e ditur se të 12 të deleguarit e Kryesisë së selisë rozë në të 12 qarqet e vendit kanë raportuar për arritjet dhe problemet e ndeshura gjatë këtij procesi pranë Shtabit Elektoral të Partisë Socialiste, që drejtohet nga kryetari i Asamblesë së saj, Gramoz Ruçi. Siç dihet, organizimi elektoral i PS-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare përbëhet nga tri faza. Faza e parë është ajo e trajnimit dhe kalimit të organizatave bazë të PS-së në profil elektoral. Faza e dytë është ajo e punës në terren me anëtarësinë dhe rrjetin e vullnetarëve, ndërkohë që faza e tretë është ajo e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë me anë të sondazheve nga anëtarësia dhe elektorati. Sipas afateve të përcaktuara në strategjinë elektorale të PS-së, fillimi i vitit 2009 përkon me përfundimin e fazës së parë në këtë strategji. Të deleguarit e Kryesisë së PS-së në të 12 qarqet e vendit kanë raportuar për secilin prej qarqeve për rezultatet, por edhe për problemet e ndeshura pas përfundimit të fazës së parë të kësaj strategjie, e cila është ajo e shndërrimit të organizatave nga profili strukturor në profil elektoral.

Faza e dytë

Kthimi i organizatave bazë të PS-së në organizata me profil elektoral përkon me përfundimin e procesit të parë të strategjisë elektorale të Partisë Socialiste. Tashmë kjo strategji ka hyrë në fazën e dytë, e cila është puna me zgjedhësit në terren. Objektivi kryesor i selisë rozë në fushatën parazgjedhore është bindja e votuesve të pavendosur. Në strategjinë elektorale të selisë rozë gjendet një udhëzim, i cili u është dhënë strukturave bazë të Partisë Socialiste, të cilave u kërkohet që të përqendrojnë punën e tyre për të bindur sa më shumë votues të pavendosur që vota e tyre të jetë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Tashmë organizatat e PS-së në bazë kanë marrë profil elektoral dhe pritet që shumë shpejt të nisin procesin e dytë, i cili është ai i punës në terren me zgjedhësit. Por në këtë drejtim, një rëndësi shumë e veçantë do t’u kushtohet votuesve të pavendosur, të cilët ende nuk e kanë një vendim të qartë se për cilën forcë politike do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Të deleguarit

Gjatë muajit tetor, Kryesia e Partisë Socialiste ka përcaktuar 12 delegatët e saj, të cilët do të jenë të ngarkuar me drejtimin e organizimit elektoral në qark e rreth. Ata do të jenë përgjegjësit kryesorë për mbarëvajtjen e fushatës dhe rezultatet që do të arrihen nga Partia Socialiste në rajonin respektiv. Të deleguarit e Kryesisë së Partisë Socialiste janë zgjedhur: Valentina Leskaj (Elbasan), Pandeli Majko (Dibër), Namik Dokle (Durrës), Shpëtim Idrizi (Tiranë), Erion Braçe (Berat), Gramoz Ruçi (Gjirokastër), Lindita Nikolla (Lezhë), Ben Blushi (Korçë), Ermelinda Meksi (Fier), Mimi Kodheli (Kukës), Mimoza Hafizi (Shkodër) dhe Arben Isaraj në Qarkun e Shkodrës.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›