E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët i rikthehen kufizimit të imunitetit, Patozi kërkon konsensusin e opozitës



Pas miratimit me konsensus të Kodit Zgjedhor dhe të ligjit “Për Prokurorinë”, demokratët kërkojnë konsensusin e opozitës edhe për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i bëri thirrje dje opozitës që me fillimin e sesionit të ri në Kuvend të bashkëpunojë për miratimin e nismës për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe të zyrtarëve të tjerë që e gëzojnë atë me ligj.
“I bëj apel opozitës për konsensus në miratimin e projektligjit "Për kufizimin e imunitetit" të deputetëve dhe të gjithë atyre që e gëzojnë atë me ligj. Pavarësisht temperaturave politike në ngritje, me afrimin e fushatës elektorale, opozita duhet të avancojë me bashkëpunimin e saj, siç ndodhi me miratimin e Kodit Zgjedhor e ligjit "Për Prokurorinë"” , - tha deputeti Patozi. Nisma e PD-së për kufizimin e imunitetit ka qenë që në ditët e para të marrjes së pushtetit, por kjo është kundërshtuar nga opozita. Pak kohë më parë, Kuvendi mandatoi dy përfaqësues nga dy partitë e mëdha për të negociuar për kufizimin e imunitetit, por duket se negociatat mes palëve janë bllokuar.
Gjatë fjalës së tij, Patozi është shprehur se përfundimi i nismës "Për kufizimin e imunitetit" është një sfidë që do t’i bënte nder parlamentit. Sipas tij, kufizimi i imunitetit të deputetëve do të vazhdojë dhe me kufizimin e zyrtarëve të tjerë me imunitet “të cilët në mënyrë krejt të panevojshme kanë një korracë, e cila i distancon ata nga qytetarët e këtij vendi”. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke iu referuar axhendës së parlamentit gjatë sesionit të ri, tha se puna e parë e ligjvënësit do të jetë rikompozimi i KQZ-së sipas formulës së Kodit të ri Zgjedhor. “Rikompozimi i institucionit zgjedhor besoj se do të jetë një çështje, të cilën parlamenti do ta konsumojë që në seancat e para të tij”, - është shprehur Patozi, ndërsa garantoi se PD-ja ka vullnetin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›