Çuli: “Të thellohen hetimet për djegien e makinës së gazetarit Mero Baze”
Partia Socialdemokrate ka dënuar sulmin shantazhist ndaj gazetarit Mero Baze. Deputetja e PSD-së, Diana Çuli, kërkoi thellimin e hetimeve për çështjen e djegies së makinës së gazetarit Baze, ndërkohë që dënoi indiferencën e shfaqur nga ana e qeverisë në lidhje me këtë çështje. “Pse bllokohet çështja e djegies së makinës së gazetarit Mero Baze? Njësoj siç bëhen përpjekje për të penguar hetimet për Gërdecin, për korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës, ashtu siç u fsheh dhe nuk gjendet trupi i Remzi Hoxhës, siç u përmbyll në kohë rekord hetimi dhe përfundimi për vdekjen e Trebickës? Mos vallë ne shqiptarët duhet të mësohemi me vdekjen dhe krimin si për diçka normale dhe të mos na bëjë përshtypje? Kanë kaluar veçse pak ditë nga sulmi shantazhist ndaj gazetarit Baze dhe organet e drejtësisë duket se e fjetën mendjen dhe i vunë kapak çështjes me të ashtuquajturin shkak të shkëndijës elektrike. Qeveria duket gjithashtu se e fjeti mendjen dhe se është mjaft e kënaqur që edhe ky rast i rëndë, i ndodhur gjatë mandatit të saj, si shumë raste të ngjashme, ka gjasa të arkivohet”, - tha Çuli.
7 Janar 2009