E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PS-së: S'njohim zgjedhjet pa mandatin e 9-të

Rama dhe Ruçi hedhin idenë e mosmarrjes pjesë në Kuvend, në rast se nuk fitohet mandati i 9-të


TIRANË- Socialistët paralajmërojnë se nuk do të njohin zgjedhjet, në rast se demokratët nuk heqin dorë nga mandati i fundit i deputetit në Qarkun e Fierit.


Nuk bëhet fjalë për një deklaratë thjesht politike, por për një vendimmarrje të kryesisë së selisë rozë, e cila në mbledhjen e parë të saj pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ka diskutuar pikërisht mbi situatën e krijuar në zonën zgjedhore të Qarkut të Fierit, ku ende ka mbetur pa përcaktuar fituesi i mandatit të fundit.


Mbledhja është thirrur pikërisht nga deputetët e këtij qarku, të cilët, nisur nga tensioni që ka shkaktuar në këtë zonë neglizhenca e KQZ-së për të përcaktuar fatin e 9 kutive të votimit që janë tërhequr në Tiranë, si dhe dhuna e organeve të policisë ndaj qytetarëve të Fierit, kanë kërkuar ndihmën e kryesisë së partisë për të përcaktuar ajo hapat që do të hidhen më tej në mbrojtje të kësaj çështjeje.


Për shkak të kompleksitetit të kësaj çështjeje, kryesia është angazhuar për më shumë se dy orë e gjysmë në diskutime dhe debate mbi rrugën që duhet të ndjekin strukturat e PS-së për të bërë të mundur ushtrimin e një presioni të kontrolluar mbi mazhorancën dhe për ta detyruar atë që të pranojë verdiktin që populli i Fierit shprehu me votë më 28 qershor.


E, natyrisht, gjatë diskutimi janë rrahur disa propozime, që kishin të bënin me alternativa nga më të ashprat, deri nga më të butat dhe konstruktive. Kështu, deputetët e zonës së Fierit kanë kërkuar që selia rozë të marrë masa për organizimin e protestave qytetare, si një rrugë demokrate e ushtrimit të presionit ndaj qeverisë, për t'i dhënë PS-së mandatin e nëntë.


Një propozim ky që duket se nuk ka gjetur shumë mbështetje nga disa prej anëtarëve të kryesisë, siç është rasti i Arben Malajt, i cili mësohet se ka kërkuar që të shmangen deklaratat për revolta, pasi ato krijojnë një përshtypje të keqe tek qytetarët dhe aq më shumë tek faktori ndërkombëtar.


Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, kanë hedhur si ide edhe bojkotimin e Kuvendit, në rast se qeveria nuk do të respektojë deri në fund votën e shqiptarëve.


Por, një ide e tillë nuk është mirëpritur nga pjesa tjetër e kryesisë, e cila ka e ka gjykuar atë të parakohshme, pasi ata kanë vlerësuar faktin se, pavarësisht se numrat e lejuan PS-në që të bëhej forcë mazhoritare, ato e lejojnë për të bërë një opozitë të fortë në Kuvend.


Në përfundim, kjo strukturë drejtuese e partisë ka vendosur që të ndiqen të gjitha hapat e duhura ligjorë për të fituar të drejtën që KQZ-ja po ia mohon, duke mos hapur kutitë e votimit dhe më pas të merren dhe hapat e tjerë të presionit. Ndërkohë që PS-ja ka vendosur që të përkrahë protestat e qytetarëve të Fierit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›