E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mungesa e votimit ishte një çështje thjesht teknike"

17/12/2008  Kreu i grupit të PD-së Astrit Patozi flet për mosvotimin e projektligjit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi ka justifikuar mosvotimin e projektligjit “Për pastërtinë figurës së zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore”. Sipas tij, mungesa e votimit ka qenë thjesht dhe vetëm një çështje teknike. Ai ka komentuar qëndrimin e mbajtur nga Partia Socialiste dhe opozita në tërësi ndaj kësaj nisme, duke thënë se ishte një shfaqje e shëmtuar. “I vetmi qëndrim i saj është që të reflektojë dhe të ndryshojë pozicionin tërësisht të shëmtuar që mbajti në seancën plenare”, - deklaroi kreu i grupit kuvendor demokrat. Sipas tij, kundërshtimi i socialistëve ndaj projektligjit përbën një lajm shumë të keq. Patozi nënvizoi se partia më e madhe politike në opozitë pas 18 vjetësh pluralizëm gjendet ende e mbërthyer në të shkuarën kriminale të diktaturës komuniste. Për Astrit Patozin politikanët e majtë duhet të distancohen nga e shkuara kriminale e diktaturës komuniste dhe nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët janë ende në drejtim të disa institucioneve shtetërore. Për kreun e grupit parlamentar të PD-së tashmë “Partia Socialiste i ka humbur të gjitha shanset që të ndikojë apo të sjellë amendamente për këtë projektligj”. Sipas tij, kanë përfunduar të gjitha format e kompromisit gjatë këtyre ditëve dhe viteve që ky ligj ka qenë në shqyrtim. Patozi nuk ka dashur të komentojë hapin e mundshëm të PS-së për të bërë ankim të ligjit në Gjykatën Kushtetuese pas miratimit të tij. Ai tha vetëm se kjo është një çështje që i përket vetëm PS-së. Zyrtari i lartë demokrat ka pranuar se në radhët e deputetëve të PD-së ka pasur nga ata që kërkonin ndëshkime të rënda për ish-persekutorët. “Ne kemi bërë që në thelbin e projektligjit të prevalonte varianti çek, ndërkohë që ka pasur shumë zëra brenda PD-së që kanë çuar në një variant më radikal, të ngjashëm me atë polak”, - u shpreh Patozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›