Bashkia, aksion për heqjen e reklamave debitore
Bashkia e Elbasanit ndërmerr një aksion për heqjen e reklamave të firmave, që nuk kanë lidhur kontratat për këtë vit. Sipas zëdhënëses së këtij institucioni, Jonida Gucaj, Bashkia e Elbasanit, përgjatë kësaj jave ndërmori një aksion për heqjen e reklamave të subjekteve që nuk kanë lidhur kontratën me bashkinë për vitin 2010. Në qytetin e Elbasanit, operojnë 5 subjekte të mëdha që merren me reklamat, si dhe biznese të tjera të vogla, që në përputhje me legjislacionin, duhet që të kishin lidhur kontratat e tyre me bashkinë brenda muajit janar të vitit 2010, e për rrjedhojë të kryenin pagesat përkatëse. Sipas të njëjtit burim, me gjithë njoftimet e ripërsëritura nga institucioni i bashkisë, pranë sporteleve të Tatim-Taksave nuk është paraqitur për shlyerjen e detyrimeve financiare asnjë prej këtyre subjekteve. Në këto kushte, Drejtoria e Tatim–Taksave pranë bashkisë, në bashkëpunim me policinë bashkiake, Inspektoratin Ndërtimor, e Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike, hoqi në disa pjesë të qytetit, reklamat e kompanive të mëdha. Pas aksionit, një pjesë e bizneseve kanë filluar procedurat e pagesave, duke rilidhur kështu sërish kontratën e tyre me Bashkinë e qytetit të Elbasanit. Sipas të dhënave në policinë bashkiake, gjatë një jave janë hequr mbi 23 reklama të firmave që nuk kishin paguar apo nuk kanë lidhur kontratë me këtë njësi vendore.
#