E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarët jo kandidim në 12 qarqe

02/03/2009  Drejtuesit e partive të vogla refuzojnë zbatimin e nenit të Kodit Zgjedhor që i favorizon në zgjedhje

Kush fiton më shumë se një mandat, mban atë në qarkun ku lista fituese ka marrë më pak vota

Drejtuesit partive të vogla politike në vend nuk do të shfrytëzojnë mundësinë që Kodi Zgjedhor u ofron për të kandiduar në disa zona zgjedhore në Republikën e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Gjatë një prononcimi për “Metropol” kjo është pohuar nga kreu i Aleancës Demokratike Neritan Ceka dhe kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka. Ligji për zgjedhjet në pikën 3 të nenit 67 parashikon një risi për kandidimin, ku saktëson se kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni, mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend.

Kandidimi

Pak muaj nga zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, disa kryetarë partish e kanë vendosur tashmë se do të kandidojnë vetëm në një zonë zgjedhore, edhe pse Kodi u jep hapësira më të mëdha. Por në këndvështrimin e kreut të aleancistëve, nënkryetarin e Kuvendit Neritan Ceka, zgjedhja e tij lidhet me lënien e hapësirave edhe të kandidatëve të tjerë për të fituar. “Nuk e konsideroj ndonjë favor të madh këtë përcaktim në Kod. Madje, do ta vlerësoja atë negative, pasi nuk lë hapësira për kandidatët e tjerë”, - tha Ceka. Të njëjtin mendim ndan edhe kreu i PDK-së Ndoka, dikur në koalicion me Partinë Demokratike. Sipas tij, kjo dispozitë në Kod është një taktikë e dy partive të mëdha për të joshur të vegjlit. “Sistemi proporcional e eviton një gjë të tillë, por kjo është taktikë e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të joshur disa nga partitë e vogla duke i ndihmuar për një vend në Parlament”, - u shpreh Ndoka. Ndryshe nga dy drejtuesit e sipërpërmendur, kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo deklaron se nuk e ka vendosur ende se çdo të bëjë për zgjedhjet. Ai rezervohet të komentojë përparësitë apo disavantazhet që sjell ky përcaktim ligjor.

Kodi Zgjedhor

Në ligj është përcaktuar detyrimi për depozitimin në KQZ nga partitë politike që janë regjistruar si subjekt zgjedhor apo si pjesëtare të një koalicioni të listës shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Kandidati për deputet i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Bëjnë përjashtim nga ky rregull kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni, të cilët mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend. Ndërsa në nenin 163 thuhet se pas përfundimit të rezultateve ndahen mandatet dhe menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike sipas këtij neni KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike në bazë të listës së kandidatëve të depozituar sipas nenit 67 në rend zbritës, duke filluar nga numri rendor 1. Kryetari i partisë, i regjistruar në më shumë se një listë dhe që ka fituar mandat në më shumë se një zonë zgjedhore mban vetëm mandatin e fituar në qarkun ku lista fituese ka marrë numrin më të vogël të votave. Mandatet e tjera të fituara nga kryetari i partisë u shpërndahen kandidatëve të tjerë që vijojnë menjëherë në listën shumemërore përkatëse.

Neritan Ceka

“Unë personalisht kam zgjedhur të kandidoj në një zonë zgjedhore dhe nuk mendoj se përcaktimi në Kodin Zgjedhor është ndonjë favor i madh, madje do thosha se neni në fjalë ngushton hapësirat që të tjerë kandidatë të kandidojnë në atë zonë zgjedhore.”

Nard Ndoka

“Nuk besoj se do të kandidoj në zona të tjera zgjedhore përveç zonës sime në qarkun e Shkodrës. Iniciativa e dy partive të mëdha për t’i lejuar krerët e partive të kandidojnë në disa zona është thjesht taktikë e tyre politike për të joshur partitë e koalicionit.”

Paskal Milo

“Nuk e kam vendosur ende se si do të veproj në këto zgjedhje lidhur me këtë çështje, pasi nuk e kemi diskutuar ende me kryesinë e partisë. Mendoj se është ende herët për të folur për këtë. Lidhur me avantazhet e dispozitës mendoj se edhe diçka negative nuk është.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›