E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Aleanca me çdo qytetar do të sjellë ndryshimin

02/03/2009  Turi me rrjetin e vullnetarëve, stacioni i radhës Gjirokastra dhe Përmeti

“Unë do ta fitojë këtë garë bashkë me ju, sepse asgjë nuk është e pamundur, nëse jemi bashkë.”

“Unë nuk jam në këtë garë për t’u ngjitur me çdo kusht në qeveri bashkë me disa ministra të tjerë, por për të transformuar bashkë me ju një vend në mes të Evropës, që është vendi ynë”, - ky ishte një nga mesazhet e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama gjatë takimeve me “Vullnetarët për ndryshim” në Jug të Shqipërisë. Në vijim të turit të tij kryetari i Partisë Socialiste është ndalur në qytetin e Përmetit dhe të Gjirokastrës, ku ka folur për ndryshimin që i duhet vendit dhe që duhet të vijë me zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, këto zgjedhje janë historike për fatet e gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve. Ndërkohë, duke u ndalur në arsyet pse Partia Socialiste duhet të rezultojë fituese në këto zgjedhje, Rama vuri në dukje se “unë nuk jam në këtë garë për t’u ngjitur me çdo kusht në qeveri bashkë me disa ministra të tjerë, por për të transformuar bashkë me ju një vend në mes të Evropës, që është vendi ynë”. Po në këtë linjë, kreu socialist shtoi se “unë nuk dua ta fitoj këtë garë për të vazhduar shfaqjen që shohim prej 18 vjetësh në politikën e qeverisjen e vendit, por për të bërë të mundur që të shfaqim së bashku më të mirën që kemi brenda nesh dhe ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç përshkruhet në amanetin e të parëve tanë”. Rama shprehu bindjen në fitoren e këtyre zgjedhjeve. “Unë do ta fitojë këtë garë bashkë me ju, sepse besoj te Shqipëria, besoj te talenti dhe forca e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, besoj te atdheu ynë, të cilit Zoti i ka dhënë gjithçka që i duhet për të qenë i begatë dhe besoj se asgjë nuk është e pamundur, nëse jemi bashkë”, - vlerësoi ai. Sipas gjykimit të kreut të PS-së duhet një bashkim mes gjithë qytetarëve, me qëllim realizimin e atij ndryshimi të madh që i duhet vendit. “Ndryshimi që i duhet Shqipërisë dhe që duan të gjithë njerëzit si ju, nuk mund të vijë duke parë lartë se çdo të bëjnë ata që prej 18 vjetësh bëjnë të njëjtën gjë, por duke parë njëri-tjetrin si njerëz që duam të njëjtat gjëra dhe duke u bashkuar me njëri-tjetrin për një politikë që mendon e punon për zgjedhësit e jo për të zgjedhurit, për një politikë që nuk jeton me akuza e fyerje në kutinë e televizorit e në faqet e gazetave, por me problemet e ëndrrat e njerëzve në mbarë Shqipërinë, për një politikë që lidh fjalët me veprat. Nuk çuditem aspak që, sa herë unë them se ne do t’u japim të gjithë bujqve e fermerëve certifikatën e pronësisë mbi tokën bujqësore mbi bazën e ligjit nr. 7501, cinikët e Ministrisë së Bujqësisë dalin me vrap për të thënë se kjo punë qenka e mbaruar. Ne do të shkruajmë bashkë me bujqit e fermerët shqiptarë, të majtë e të djathtë, të bashkuar për të ardhmen e familjeve tona e të atdheut tonë të përbashkët, për një faqe të re në historinë e fshatit shqiptar, duke i dhënë jetë një aleance historike me çdo qytetar që jeton në fshat.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›