E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore të Parlamentit Gjerman vlerëson ritmet e shpejta të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me delegacionin e deputetëve të Bundestagut gjerman, të kryesuar nga zoti Detlef Dzembritzki, Kryetar i Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore.

Duke falenderuar Kryeministrin Berisha për mikëpritjen, zoti Dzembritzki vlerësoi ritmet e shpejta të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe progresin e reformave në të gjitha fushat. Veçanërisht zoti Dzembritzki shprehu vlerësimin për arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zoti Dzembritzki u shpreh se Gjermania është përkrah Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe në NATO, duke siguruar Kryeministrin Berisha se Parlamenti Gjerman do të ratifikojë së shpejti Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Dzembritzki për përkrahjen dhe mbështetjen e rëndësishme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë për zhvillimin e ekonomisë së tregut, konsolidimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike, si dhe mbështetjen e saj për integrimin e vendit tonë në BE dhe NATO.

Më pas, Kryeministri Berisha e njohu zotin Dzembritzki me përpjekjet dhe arritjet e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, veçanërisht me arritjet në luftën me zero tolerance kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu zotin Dzembritzki me masat e ndërrmarra nga qeveria në luftën kundër informalitetit dhe për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për tërheqjen e investitorëve të huaj. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha vlerësoi faktin që kompani të fuqishme gjermane zhvillojnë aktivitetin e tyre në vendin tone dhe kompani të tjera të mëdha po tregojnë interesim për të investuar në Shqipëri.

Më pas, të dy personalitetet diskutuan për zhvillimet në rajon, duke u ndalur veçanërisht në çështjen e statusit të Kosovës, për të cilën, Kryeministri Berisha theksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare, në mbështetje të planit të Ahtisarit për një Kosovë të pavarur, nën mbikqyrjen e komunitetit ndërkombëtar. Të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se zgjidhja e çështjes së Kosovës, brenda kornizës së planit Ahtisari, është zgjidhja më e mirë në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore, zoti Dzembritzki shprehën besimin dhe vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›