E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha gjatë prezantimit të nismës "Një OKB"

"Më lejoni t'i shpreh mirënjohjen dhe falënderimin Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Kim-Moon dhe zotit Kemal Dervish për zgjedhjen e Shqipërisë si një nga vendet për aplikimin e projektit pilot "Një OKB". Dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t'i shprehur mirënjohjen e thellë agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat nga vitet '90 e deri më sot kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me Shqipërinë, duke dhënë një kontribut thelbësor në të gjitha përpjekjet tona për ndërtimin e ekonomisë së tregut dhe institucioneve demokratike. Institucionet e Bretton Woods, PNUD, OBSH, UNICEF, UNHCR dhe shumë e shumë agjenci të tjera kanë qenë të pranishme gjatë gjithë këtyre viteve në Shqipëri, duke dhënë kontribut thelbësor në fushat përkatëse, duke sjellë në Shqipëri ndihmë të madhe teknike, por edhe ndihmë të konsiderueshme financiare. Ato kanë shërbyer si përfaqësuese multilateralë të Shqipërisë duke mobilizuar ndihma të mëdha e të gjithanshme nga donatorë. Unë shpreh bindjen se përzgjedhja e Shqipërisë si vend pilot për aplikimin e nismës së re e të mirëpritur nga ne, dhe shpresoj edhe nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, ka në bazë pikërisht seriozitetin dhe rezultatet e këtij bashkëpunim tashmë rreth 20 vjeçar.

Ne ndjehemi të privilegjuar që jemi përzgjedhur si vend pilot dhe do të bëjmë çdo përpjekje për suksesin e kësaj nisme. Kjo nismë shënon një hap shumë të madh për të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Reformimi dhe suksesi i kësaj Organizate në rrafshin dhe ligjin ndërkombëtar është edhe reformim dhe sukses i tyre. Kështu e ndjejmë ne dhe jam i bindur se kështu e ndjejnë edhe të gjitha vendet anëtare.

Kjo nismë vjen si domosdoshmëri e një koordinimi shumë më të mirë i të gjitha potencialeve të 38 agjencive të OKB-së, të zgjerimit të eksesit dhe mundësisë së përfitimit nga këto agjenci. Shqipëria është një ndër ato vende e angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin në këtë kuadër. Shqipëria është një vend që ka nënshkruar Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në. Në këtë kontekst, në të gjitha përpjekjet, vendimet, ligjet dhe praktikat e saj ajo është e vendosur të përfshirë "acquis communautaire" si thelbin e reformave të saj. Jam i bindur se ky proces do ta ndihmojë Shqipërinë edhe për një zbatim më të suksesshëm të MSA-së, e cila, siç është bërë tashmë e qartë si marrëveshja Ad interim po zbatohet nga qeveria dhe institucionet e këtij vendi me seriozitet të madh. Për këto zhvillime ka pasur vlerësim pozitiv e të qartë në Bruksel. Me ndihmën e donatorëve dhe të institucioneve ndërkombëtare ne krijuam Komitetin e Planifikimit Strategjik në Këshillin e Ministrave dhe Komitetin e Modernizimit të Qeverisjes. Këto dy komitete po konsolidohen gjithnjë e më shumë. Komiteti i Planifikimit Strategjik po bën përpjekje që në buxhetin afatmesëm të përfshijë gjithnjë e më shumë donacione.

Të nderuar përfaqësues të vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare,

duke ju falënderuar për të gjithë bujarinë që keni dëshmuar dhe dëshmoni ndaj qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë, do t'ju lutesha që, në përputhje me zotimin e marrë në deklaratën e Parisit, të kontribuoni që të gjitha donacionet të koordinohen dhe të përfshihen nëpërmjet Komitetit të Planifikimit Strategjik në buxhetin afatmesëm. Ju siguroj se qeveria do të adaptojë fleksibilitet të madh për të respektuar të gjitha praktikat që legjislacioni i vendeve tuaja kërkon për zbatimin e projekteve dhe dhënien e këtyre donacioneve. Në një analizë 10 vjeçare që i bëhet implementimit të donacioneve dhe projekteve, ato rezultojnë nën një mesatare 50 për qind, ndërkohë që vendi ka nevojë dhe, po të lejonte FMN-ja, mund të shkonte në 150 për qind. Por FMN-ja ka përcaktuar si tavan 100 për qind. Ju siguroj se Departamenti për Koordinimin e Ndihmës do të përmirësojë të gjitha praktikat në mënyrë që të lehtësojë dhe përmirësojë koordinimin.

Në nismën "Një OKB" ne synojmë koordinim shumë më të mirë të të gjitha donacioneve dhe projekteve të 38 agjencive të Kombeve të Bashkuara, synojmë të shmangim çdo mbivendosje në organizatat dhe institucionet e tjera si dhe vendet mike, synojmë të përcaktojmë më mirë përparësitë tona. Në këtë kontekst, ne jemi shumë të inkurajuar nga përcaktimet që bëmë një vit më parë me PNUD-in për përqendrimin në 4 projekte madhore si ai i ekstralegalitetit, "Brain gain", ekoturizmit, projekte të cilat po ecin dhe përparojnë çdo ditë e më shumë. Ne gjithashtu jemi të inkurajuar nga diskutimet dhe përcaktimet që bëmë në kuadrin e IFA-s, një proces negociatash realisht i suksesshëm. Ne jemi të inkurajuar edhe nga përcaktimi i përparësive dhe bashkëpunimi me USAID-in në kuadrin e Sfidës së Mijëvjeçarit. Ne zgjodhëm tre projekte madhore dhe donatorët po ndryshojnë fushat ku janë përqendruar. Unë u ndala vetëm në disa projekte, por ju siguroj se ne jemi shumë të vendosur për të bërë çdo përpjekje për një koordinim më të mirë të ndihmave tuaja bujare.

Edhe një herë falënderoj zotin Kemal Dervish për vizitën e tij në Tiranë, për të prezantuar këtë nismë, të cilën e konsideroj shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe ta siguroj se do të bëjmë përpjekjet më serioze për suksesin e saj.
Faleminderit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›