Kryetari i Bashkisë shkon në zyrë me biçikletë
Kryebashkiaku i Tiranës dhe punonjësit e administratës së Bashkisë shkuan dje në punë me biçikletë, në këmbë, ose me mjetet e transportit publik, në respekt të Ditës Botërore pa Makina. Në këtë mënyrë, Bashkia e Tiranës dha mesazhin e rëndësisë që ka për qytetin dhe qytetarët lëvizja pa makina, në funksion të reduktimit të ndotjes dhe stresit.
Më poshtë, deklarata e plotë para medias e z.Basha në ditën botërore pa makina: “Dita pa makina është një rast i mirë për të reflektuar mbi pastërtinë e qytetit, por edhe mbi stilin e jetesës së qytetarëve. Sot, unë mora biçikletën për në punë, nuk është diçka e re për mua, nuk është diçka e re për qindra e mijëra qytetarë që biçikletën e kanë pasur mjet kryesor lëvizjeje, por sot gjërat janë ndryshe. Biçikletën e kam sjellë, por nuk kam ku ta vendos. Ose duhet ta marr brenda në korridoret e Bashkisë, ose duhet ta çoj në një vend të posaçëm i cili nuk ekziston”, - është shprehur kryebashkiaku, pasi mbërriti në hyrje të Bashkisë me biçikletë. Ai ka bërë të ditur se në të gjithë qytetin e Tiranës do të shënohen mbi 22 km korsi e dedikuar për biçikletat.