E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Çekisë Vlèek: Do të ndihmojmë Shqipërinë me eksperiencën tonë për të shkurtuar kohën e anëtarësimit të plotë të saj në BE

Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Çekisë Vlèek: Do të ndihmojmë Shqipërinë me eksperiencën tonë për të shkurtuar kohën e anëtarësimit të plotë të saj në BE

Gjatë qëndrimit në Pragë, Kryeministri Berisha u prit pasditen e sotme në takim nga Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë Z. Miloslav Vlèek.

Kryetari i Dhomës së Deputetëve Vlèek e uroi Kryeministrin Berisha për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE, duke e konsideruar këtë një hap shumë të rëndësishëm. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i shprehu z. Miloslav Vlèek mirënjohjen e qeverisë shqiptare për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit në NATO dhe të MSA-së, nga pala çeke.

Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Dhomës së Deputetëve Vlèek theksuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, duke u ndalur veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike. Në këtë aspekt, ata nënvizuan se këto marrëdhënie kanë një perspektivë shumë të mirë, veçanërisht në sektorë të tillë si transporti, infrastruktura, mjedisi, industria e rëndë, etj. Z. Vlèek theksoi se konstatonte me kënaqësi, se interesi i investitorëve çekë për të investuar në Shqipëri nuk ka njohur ndalesa, edhe në këtë periudhë të krizës ekonomike globale.

Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha shprehu sigurinë se marrëdhëniet ekonomike dypalëshe do të zgjerohen më tej dhe për këtë, qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të mbështetur dhe lehtësuar investimet çeke në Shqipëri dhe për të zhvilluar më tej shkëmbimet tregtare dypalëshe. Shqipëria, tha Kryeministri, përbën një potencial real, duke shprehur bindjen se investimi i kompanisë çeke Çez, do t’i hapë rrugën edhe ardhjes së kompanive të tjera të mëdha. 

Kryetari i Dhomës së Deputetëve Vlèek tha se të gjitha këto marrëdhënie na nxisin të vazhdojmë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe shkëmbimet mes institucioneve respektive.  Në këtë aspekt, ai tha se një ndihmë të madhe ka dhënë vizita e fundit e suksesshme e një delegacioni të Komisionit të Ligjeve të Çekisë në Shqipëri, si një mundësi për shkëmbime eksperiencash.  

Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë Z. Miloslav Vlèek u shpreh se Çekia i ofron Shqipërisë ndihmën dhe eksperiencën e saj për ecurinë e shpejtë të procesit të anëtarësimit të plotë të vendit në BE, në mënyrë që Shqipëria të marrë hapa më të zhdërvjellët dhe të mos ketë vështirësitë administrative që i ka pasur Çekia.

Kryeministri Berisha i bëri ftesën Kryetarit të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë Z. Miloslav Vlèek për të vizituar Shqipërinë, ftese të cilën ai e pranoi me kënaqësi.


28/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›