Zv/Presidenti i Senatit çek Jiøí Liška: Asnjë vend tjetër nuk ka arritur të ndërmarrë hapa kaq të shpejt, në një kohë kaq të shkurtër, sa Shqipëria
- Senatorët çekë: Brenda muajit prill, qeveria shqiptare ka korrur dy suksese të mëdha dhe historike për Shqipërinë. Kjo ka ndodhur si rezultat i reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, reforma të cilat janë vlerësuar shumë lart dhe me seriozitet nga institucionet evropiane
Kryeministri Berisha u takua sot, në Pragë, me zv/Presidentin e Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke z. Jiøí Liška.
Zv/Presidenti i Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke përshëndeti në emër të tij dhe të senatit çek, aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi atë për ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO dhe të MSA-së nga ana e Senatit çek.
Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe ndanë të njëjtin vullnet për forcimin e tyre edhe më tej në të gjitha fushat. Kryeministri Berisha tha se ishin pikërisht këto marrëdhënie miqësore që ndihmuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ndërmarrjen e hapit për aplikimin e vendit si vend kandidat për në BE.
Në takim u diskutua veçanërisht për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe mundësitë për forcimin e tyre.
Senatorët e pranishëm në takim u shprehën se asnjë vend tjetër nuk ka arritur të ndërmarrë hapa kaq të shpejt, në një kohë kaq të shkurtër, sa Shqipëria. Brenda muajit prill, qeveria shqiptare ka korrur dy suksese të mëdha dhe historike për Shqipërinë. Kjo ka ndodhur si rezultat i reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, reforma të cilat janë vlerësuar shumë lart dhe me seriozitet nga institucionet evropiane, theksuan ata.
Senatorët shprehën gjithashtu mbështetjen e Çekisë në të gjitha hapat e procesit të mëtejshëm të integrimit në BE, si dhe në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha e ftoi zv/Presidentin e Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke z. Jiøí Liška për një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.
28/04/2009