E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Komunës Kolsh: Nuk kam qëlluar me armë ndaj banorëve. Prençi: Nuk jam prononcuar për ngjarjen

Share

Kryetari i Komunës Kolsh në Kukës, Abedin Uruçi, ka hedhur poshtë akuzat e banorëve të fshatit Mamëz, se ka qëlluar me armë ndaj tyre. Në një prononcim për gazetën, ai ka thënë se këto janë shpifje. Nuk është e vërtetë që kam qëlluar me armë ndaj banorëve. Këto janë shpifje dhe akuza banale, ka thënë Uruçi.

Më tej, kryetari i Komunës së Mamëzit ka mohuar edhe faktin se në vendin e ngjarjes kanë shkuar Forcat Speciale nga Tirana. Kjo gjë nuk është e vërtetë. Në vendin e ngjarjes, ditën e parë kur kanë filluar punimet, kanë mbërritur forcat policore të Kukësit, pasi disa banorë janë përpjekur të bllokojnë punimet. Ata janë larguar paqësisht dhe çdo gjë ka shkuar normalisht, shprehet kryetari i komunës.

Ai ka hedhur poshtë edhe akuzat se në këtë minierë ka interesa zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Pone.

Në lidhje me minierën, për të cilën disa banorë janë ankuar se u është marrë toka dhe kërkojnë dëmshpërblim, Uruçi ka thënë se ky është një pretendim që nuk qëndron, pasi sipas tij toka i përket komunës. Ai ka thënë se firma që po punon aktualisht, ka marrë të gjitha lejet, si në Komunën e Mamzës, ashtu dhe në Tiranë dhe është në rregull me ligjin.

Firma ka marrë të gjitha lejet komunale dhe nga Këshilli i Komunës, ka marrë dhe lejen për kërkime minerare në Tiranë dhe është në rregull me ligjin. Toka për të cilën bëhet fjalë është 2 kilometra larg fshatit dhe është tokë pylli, nuk është pronë e askujt, por është pronë komunale. Pra, është pronë që i përket Komunës së Mamëzit, ka thënë Uruçi.

Sipas tij, në këtë konflikt nuk janë përfshirë të gjithë banorët e fshatit, por vetëm një pjesë e tyre, të nxitur nga korrespondenti vendas, që sipas tij, është edhe autori i gjithë kësaj historie. Uruçi ka thënë se banorët janë mashtruar dhe me pretendimin që janë dëmshpërblyer banorët ku është ndërtuar Durrës-Kukës, u është thënë se ata mund të dëmshpërblehen dhe të marrin para për minierën.

Ndërkohë, edhe shefi i Forcave Speciale, Shemsi Prençi, i ka mohuar citimet e korrespondentit të Kukësit, duke thënë se nuk ka folur me asnjë njeri për incidentet e ndodhura në Komunën e Mamëzit.

Nuk i kam thënë kurrë ato fjalë që më ka cituar korrespondenti. Citimet e vëna në gojën time janë të sajuara, ka thënë Prençi në një reagim për këtë ngjarje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›