Kryetari i Komunës: Mu ofrua 1 milion euro ryshfet që t’i dorëzoja Kakomenë
Kryetari i Komunës së Nivicës, Vladimir Kumi në një intervistë me gazetarin Mero Baze në emisionin e tij “Faktor Plus”, hedh dritë mbi disa të vërteta në lidhje me konfliktin që fshati Nivicë ka me qeverinë për pronësinë e Kakomesë. Sipas Kumit, deri më tani asnjë përfaqësues i “Club Mediterran” nuk është paraqitur në zyrat e Komunës për të kontaktuar me këtë të fundit, dhe personi i vetëm i interesuar për këtë çështje është presidenti i Kompanisë Riviera Dritan Çela. Sipas Kumit, pas kësaj historie fshihet një aferë e pastër korrupsioni dhe ryshfeti në rangjet më të larta qeveritare dhe në sistemin e drejtësisë.
Së bashku me mua është Vladimir Kumi, kryetar i Komunës së Lukovës në rrethin e Sarandës, një nga komunat tipike ku përplasen interesat e pronarëve nga njëri krah dhe interesat e investitorëve nga krahu tjetër, përplasen problemet e paqartësisë që janë shfaqur me shpërndarjen e tokës pas vitit 1991, të pronarëve të rinj dhe pronarëve të vjetër. Komuna juaj më së shumti është e njohur nga precedenti i fshatit Kakome dhe incidentet e banorëve të fshatit me investitorët. Çfarë po ndodh aktualisht në Kakome, si po zhvillohen ngjarjet?
Në Kakome aktualisht janë duke u kryer punime për rrethimin e territorit nga kompania Riviera. Dihet që kjo kompani ka pasur prej katër vjetësh një konflikt institucional, jo vetëm me komunën e Lukovës, por edhe me qeverisjen e sotme të zotit Berisha. Ndërsa më parë me qeverisjen e Nanos, ka pasur një leje ndërtimi për të ndërtuar fshat turistik, e cila ka përfunduar në shtator të vitit 2007.
Kompania ka filluar të punojë, pra a ka paraqitur ndonjë kërkesë pranë jush për leje ndërtimi?
Kompania aktualisht është duke bërë rrethimin e territorit, por unë thashë jo pa qëllim që ka pasur një leje nga KRRTRSH, i cili është organi i vetëm për të dhënë lejen përfundimtare në zonat me përparësi të turizmit.
Cila është procedura për të marrë një leje ndërtimi për fshat turistik, pra cila është procedura që duhet të ndjekë kompania?
Një kompani për të marrë lejen e ndërtimit për strukturë turistike, pra jo vetëm fshat, por për të gjithë strukturën turistike në zonën e bregdetit, duhet që në radhë të parë në pronën apo territorin që ajo do të ndërtojë, nuk duhet të ketë konflikte pronësie. Kodi i Procedurës Civile e ka saktësuar qartë, që në rast se ka një konflikt gjyqësor, asnjë organ tjetër shtetëror nuk mund të lidhë kontratë për atë territor pa u zgjidhur konflikti i gjykatës. Në rastin e komunës së Lukovës ka më shumë se një konflikt gjyqësor. Njëri është mes pronarëve dhe AKKP-së, një konflikt tjetër gjyqësor është mes kompanisë Riviera dhe qarkut Vlorë i cili ka ezauruar kompetencat e KRRTRSH-së së Republikës, dhe pa përfunduar këto konflikte gjyqësore nuk mund të kishim më asnjë marrëveshje, as shtetërore, as lokale për ndërtimin e një strukture turistike siç është rasti i Kakomesë.
Nga pikëpamja shtetërore, pasi ju jeni një përfaqësues i tij, si ka proceduar, apo si ka filluar punën kompania pa leje ndërtimi?
Kompania ka bërë një njoftim në komunën Lukovë që pas rifreskimit të lejes së ndërtimit për fshatin turistik nga qarku i Vlorës. Por, dihet që në rast se një institucion jep një leje dhe ajo skadon, atëherë vetëm ai institucion ka të drejtë ta rifreskojë këtë leje. Pra, lejen e KRRTRSH-së të Kryeministrit Nano duhet ta rifreskonte vetëm KRRTRSH e zotit Berisha. Ata s’mundën ta merrnin dot këtë leje, por kanë marrë një leje nga qarku i Vlorës që edhe unë si kryetar i Komunës, jam pjesë e qarkut të Vlorës, dhe kam votuar kundër kësaj së bashku me zotin Sharra, por me një maxhorancë brenda KRRT-së së qarkut është marrë e drejta e lejes dhe në këtë leje e kemi ankimuar në gjykatën e rrethit Vlorë.
Kush e ka ankimuar?
Komuna e Lukovës sepse komuna ka KRRT-në e vet, dhe lejet standarde janë në një format të tillë ku firmos edhe kryetari i komunës, dhe kryetari i qarkut, edhe kryetari i Këshillit të Ministrave, që është dhe kryetari i KRRTRSH. Kompania këtë leje nuk e ka dhe është duke e bërë fakt të kryer.
Cila është procedura që duhet të ndjekë Komuna në këtë rast për të frenuar një ndërtim pa leje?
Komuna ka ndjekur procedurat ligjore, që janë ankimime brenda sistemit të administratës shtetërore, pra ankimime në qeveri, por duke bërë dhe ankimime në gjykatë. Nga qeveria ka pasur një vesh të shurdhër duhet thënë, ndërsa në gjykatën e Sarandës nuk është marrë masa e pezullimit për këto ndërhyrje dhe masat e pezullimit janë të paapelueshme, kjo dihet, dhe ne kemi ndërmarrë një iniciativë për hapjen e çështjes, ndërkohë që jemi duke kontaktuar dhe me administratën ndërkombëtare që është këtu, pra OSBE-në apo KE-në për këtë çështje.
A ka polici ndërtimore komuna dhe a ka fuqi që ta frenojë këtë ndërtim që është jashtë rregullave ligjore?
Policia e komunës që në momentin e parë ka shkuar dhe u ka kërkuar lejen. Jo firmës Riviera, se atje nuk ka ardhur firma Riviera, por kanë ardhur disa shoferë me tre- katër mjete transporti, ngarkuar me rrjeta dhe shtylla hekuri për të bërë rrethimin së bashku me njerëz që njihen si persona me precedentë në zonë, dhe përplasja ka qenë midis njerëzve të rrugës dhe policisë së komunës. Sot, për absurd të kësaj lloj përplasjeje, inspektori i policisë së komunës është në burg prej tre muajsh dhe vazhdon të mbahet atje, kryeplaku i fshatit Nivicë është në burg dhe vazhdon të mbahet atje, dhe dy qytetarë të tjerë të fshatit vazhdojnë të jenë në burg.
Pra inspektori i policisë që ka shkuar për të zbatuar ligjin ndodhet në burg dhe personat që e shkelën atë ndodhen jashtë?
Po, ata që kanë shkelur ligjin dhe kanë dhe denoncime penale nga ana e komunës, vazhdojnë të jenë jashtë...
D.m.th, më fal, shteti ka arrestuar policin e ndërtimores dhe ka lënë të lirë ndërtuesin?
Po, shteti ka futur në burg policin dhe nuk është se ka lënë jashtë vetëm ndërtuesin, por edhe njerëzit e rrugës, që për herë të parë në këtë lloj marrëdhënie janë gjendur në krah të investitorëve. Në rast se në vitin 2004, unë kam qenë kryeplak atëherë, dhe jam arrestuar, dhe pas një gjyqi maratonë një vit unë kam marrë pafajësinë për akuzën “Për kundërshtim të punimeve të kompanisë Riviera”, në një tokë që unë dhe fshatarët e tjerë e quajmë tokën tonë, sot kryetari i fshatit dhe inspektori i policisë së ndërtimit, që shkon dhe i kujton detyrimet ligjore që ka kompania Riviera, arrestohet. Por, në rast se herën e parë ne kishim përballë abuzimin e shtetit, sot kemi përballë dhe njerëzit e rrugës. Unë, me gjithë dyshimet e mia, nuk mund të them se kush i vë këta njerëz të rrugës, që janë asgjë më shumë se rrugaçë nga Saranda, Qafa e Gjashtës, Delvina nga Fieri nga Vlora, që për dy muaj rresht kur fshati i Nivicës, por edhe inspektorati i ndërtimit, dhe komuna e Nivicës, ka qenë në mbrojtje të pronës së vet, dhe jo pronë e pretenduar, por pronë e komunës së Lukovës me vendim të KM, për transferimin e pyjeve dhe kullotave e kaluar që në qershor të vitit 2005, me të gjitha aktet e transferimit tek komuna Lukovë, me kontrata të lidhura mbi këtë territor dhe këtë pronësi për administrim pyjesh dhe kullotash.
Pra, ti si kryetar komune je pa polici ndërtimore?
Unë sot kryepolicin e komunës për ndërtimin e kam në burg, një inspektor tjetër është trembur nga presioni dhe ka dhënë dorëheqjen, imagjinoni në ç’situatë jemi...
Po policia e shtetit çfarë qëndrimi ka mbajtur në këtë histori?
Policia e shtetit ka qenë në dy lloj marrëdhëniesh. Komisariati i Sarandës ka mbajtur një qëndrim përgjithësisht korrekt, por drejtori e policisë së qarkut të Vlorës me drejtorin e saj Vehbi Bushati ka qenë tërësisht e implikuar. Ka pasur raste që ajo ka ardhur dhe ka arrestuar policin e komunës në mes të natës.
Investitori është nga Vlora apo jo?
Investitori i Rivieras, po është e vërtetë që është nga Vlora.
Mendoni që ka pasur një veprim klientelist të policisë së Vlorës në këtë rast?
Unë në mediat lokale të Sarandës kam ngritur një akuzë ndaj drejtorit të policisë së Vlorës, kam ngritur një akuzë publike për kryetarin e gjykatës së Sarandës, i cili muaj më parë më ka kërkuar mua të bashkëpunoj për t’i krijuar mundësinë kompanisë Riviera për të investuar në zonë, po kështu dhe kryeprokurori i Sarandës më ka kërkuar mua disa ditë më parë që të mos të mbështesim protestën e fshatarëve të mi për zonën. Unë shikoj një lidhje të tillë që kompania ka kapur nivele të tilla siç është gjykata e Faktit, gjykata e Apelit, Vlorë, dhe ka kapur prokurorinë e rrethit, si dhe totalisht policinë e shtetit. Dhe nga komunikimet e mija që kam pasur me drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Ahmet Prençi përgjatë dy muajsh qëndrese civile të njerëzve të bregdet në këtë zonë, kam pasur deklarime se nuk do të përzihet në këtë çështje. Sepse kjo çështje është një çështje administrative që duhet të zgjidhet vetëm në rrugë ligjore. Por, për fatin e keq, në natën e 9 shkurtit, apo në të gdhirë të datës dhjetë, policia e shtetit zbriti me qindra forca policore, autoblinda dhe arriti të pushtojë një territor të komunës. Unë e them me dhimbje, tamam pushtim. Dhe sot aty po bëhet një rrethim që një gazetare e famshme e Financial Times, e konsideroi si një burg dhe jo si një territor të destinuar për qëllime turistike.
Pse ka ndërhyrë policia pa mbaruar procesi gjyq1ësor. Me çfarë motivi pra ka ndërhyrë policia në favor të biznesmenit?
Unë mendoj se çdo gjë është e paguar dhe për këtë është implikuar që më parë ministri i Turizmit, Ylli Pango, i cili është deklaruar dhe më parë se: “Komuniteti i Nivicës këtu ka humbur pronësinë. Unë kam rrëmuar – thotë ai – në arkivat e shtetit dhe kam gjetur se Niviciotët e kanë humbur të drejtën e pronësisë”.
Unë nuk e di se çfarë interesi paska një ministër të rrëmojë në arkivat e shtetit për çështje pronësie. Por edhe në rast se do të ishte e vërtetë kjo, ka institucione të tjera që merren më këtë gjë. Unë mendoj se zoti Pango është marrë me këtë gjë dhe më është krijuar bindja ime se zoti Pango është marrë personalisht me këtë gjë. Se deri ku shkon kjo, nuk di ta them, por kam bindjen se ka dhe një implikim qeveritar në këtë çështje.
Zoti Kumi, përveç problemit të Kakomesë, si paraqitet gjendja e pronësisë në fshatrat e tjerë që mbulon komuna juaj?
Unë do të thosha që në të gjithë hapësirën e bregdetit, që nga Ksamili dhe deri në Karaburun, kemi një situatë të sabotuar të çështjes së pronësisë. Nuk themi që është faji vetëm i kësaj qeverie, ka qenë faji i disa qeverisjeve. Ka qenë shumë e lehtë për të bërë regjistrimin e pronësisë në zonën e bregdetit. Në rast se do i referoheshim dokumenteve të vjetra të pronësisë në zonën e bregdetit, ndryshe nga sa kam biseduar me kryeministrin Berisha në atë kohë, ka kadastër të vjetër, ndryshe nga veriu që nuk ka kadastër. Këtu ka dokumente të vjetra. Boshti i ligjit 7501 për dhënien e tokës individëve që jetonin në fshat, dhe që ishin produkt i kooperativave apo NB-ve, e ka themelin pikërisht tek ata njerëz që e kishin futur tokën e tyre në kooperativën bujqësore apo NB. Pra, themeli i atij ligji janë anëtarët themelues të kooperative. Dhe për këtë kanë të gjithë dokumente, që nga fshati ynë, që është fshati i parë nga Saranda dhe deri në zonën e Palasës, që ishte kooperativë deri në vitet e fundit të komunizmit, e kanë dokumentacionin e saktë për pronën që kanë futur në kooperativë. Kështu që këtu ka një mungesë vullneti nga ana e qeverisë për ta bërë këtë regjistrim pasurie. Dhe sot në këtë situatë postkomuniste, por jo demokratike, ne ndodhemi në këtë situatë me prona të paregjistruara. Unë kam shtëpinë time që e kam ndërtuar pa regjistruar, kam dhe shtëpinë time nga stërgjyshërit e mi 400 vjeçare, të paregjistruar. Ndërkohë që gjyshi im e ka të regjistruar. Dhe deri në vitet ‘51, pak kohë para se të hynim në kooperative, të gjitha këto prona ishin të regjistruara. Dhe thuhet që morëm ato që kishim, ose përfituam nga reforma, pra kemi një situatë tërësisht të qartë. Por këtu nuk ka pasur vullnet për ta regjistruar.
Tani si janë të ndara tokat, janë ndarë me 7501 dhe nuk janë regjistruar?
Në fshatrat tona ne kemi gjysmat e tyre, pra në Shën Vasil, Lukovë dhe Borsh ne kemi një ndarje toke relativisht sipas pronës, ose të qartë nga ana ligjore. Ka disa shkelje në Piqeras, në tagrin ligjor për ta vendosur ndarjen, por këtë tagër e ka ose Kontrolli i Shtetit ose në bazë të ligjit për verifikimin e pronësisë, e ka prefektura. Kjo nuk është bërë, por shteti e ka shumë të lehtë që tu japë urdhër prefekturave që për gjashtë muaj dua të shpallni të ligjshme, apo të paligjshme ndarjen e tokës. Dhe atje ku kemi ndarje të paligjshme, funksionon e drejta e kthimit të pronës private ashtu siç ka qenë para hyrjes së në kooperative.
Pra, në zonën e bregdetit ne nuk kemi tituj pronësie, dhe duke mos pasur tituj pronësie, ne nuk japim dot leje ndërtimi dhe nuk zhvillojmë dot zonën. Dhe këtu na vijnë këta ndërtuesit e mëdhenj si me parashutë. Kur në bazë të ligjit të urbanistikës, në rast se duhet të ndërtojmë në zonën bregdetare, neni 65 dhe 66 ta ndalojnë. Neni 65 thotë që pa u bërë planet rajonale nuk mund të kryhen ndërtime në zonën e bregdeti. Dritan Çelës i jepet leje nga qarku i Vlorës pa u bërë planet rajonale. Ndërsa neni 66 e përcakton shumë qartë: Pa miratimin e infrastrukturës së zonës, që miratohet nga KRRTRSH, nuk mund të kemi zhvillim apo leje ndërtimi në zonë turistike. Edhe rruga për në Kakome tani është projektuar për tu bërë, me kërkesë të komunës Lukovë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve. Dmth, nuk kemi as rrugë atje, le pastaj kanalizime apo ujësjellës, e të tjera, që janë të gjitha probleme që lidhen me pronësinë, por edhe me administrimin e bazave ligjore të hapësirave urbane.
Sa jeni në dijeni të studimit të integruar nga BB, a parashikohen aty njolla të zeza në Kakome. Ky projekt i cili po përflitet, e përfshin zonën e Kakomesë?
Unë kam qenë pjesë integrale e atij studimi, dhe them se kam disa njohuri të mjaftueshme për këtë studim. Mendoj se rregullorja që është bërë dhe studimet, do kenë bazë lokale. Studimet vendore tani sa kanë nisur. Janë bërë termat e referencës për hapjen e një tenderi publik, ku kompani të huaja apo shqiptare do të marrin pjesë në hartimin e një plani urbanistik për të gjithë territorin. Ne jemi në fillim të kësaj procedure, por në rast se është vendosur në masterplan që 100 metra nga vija e ujit nuk do të ketë ndërtime, në fshatin turistik të Kakomesë ndërtimet shkojnë deri në vijën e ujit.
Pra, e kanë rrethuar deri në bregdet?
Pjesa është rrethuar nga vija e ujit deri në një distancë rreth 1 kilometër?
Po rrugët publike janë të hapura?
Eshtë bllokuar rruga komunale dhe nuk mund të hyhet në zonë.
Komuna s’ka të drejtë të hapë rrugën komunale?
Komuna është tërësisht e bllokuar dhe nuk mund të kryejë asnjë veprim. Edhe inspektorati pyjor nuk mund të kryejë veprime në atë zonë. Kjo e fundit është rrethuar nga rreth 30 policë privatë të tre- katër shoqërive private.
D.m.th, policia private e kompanisë është më e fuqishme se ju?
Kjo bëhet nën drejtimin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë.
Meqenëse ju po flisni për mundësinë e hartimit të planeve urbanistike në bregdet, a jeni të interesuar si komunitet për investimet e huaja?
Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar për investime, të huaja apo vendase. Unë do doja se çfarë do të donim ne që të investohej atje, qoftë për Kakomenë, qoftë dhe për një marrëveshje që komuniteti jonë do ta pranonte. Ne do të donim që Kakomeja të ishte një zonë e hapur, jo zonë e mbyllur. Sepse në rast se zonës tonë do t’i hiqeshin disa plazhe, si Kakomeja, zona do të varfërohej. Sepse këto plazhe të mbyllura do të sillnin fitime për disa x persona apo y, s’ka rëndësi. Kjo zonë, ashtu siç ka pasur gjatë gjithë kohës një rrugë për të shkuar në det, sërish kjo rrugë duhet të jetë e hapur. Nga ana tjetër, plazhi nuk duhej të ishte në administrim privat, ose të paktën gjysma e plazhit duhej të ishte në administrim komunal, në funksion publik. Sepse në rast se do e heqim këtë plazh, hoteleria e Sarandës, e gjithë zona e pellgut të Delvinës apo komunës tonë të Lukovës, që e ka frekuentuar këtë plazh dhe në atë gjendje siç është, ashtu natyrale, do të humbiste një aset të vlefshëm. Pra, ne e duam të hapur. Dhe e treta, kjo çështje duhej të negociohej përpara se të zgjidhen problemet me pronësinë, sepse çështja e pronësisë mund të kërkojë vite të tëra dhe kjo pengon zhvillimin. Komuniteti i ka përfaqësuesit e vet në këshillin e komunës dhe ky këshill mund të merrte një vendim se si ajo, ashtu si pronë komunale, t’i japë të ardhura asaj komune. Jo të jepej për 600 mijë euro për 25 vjet. Për një shumë të tillë edhe unë mendoj se do merrja borxh diku dhe do e merrja atë si pronë, sepse janë 700 mijë metra katrore. Pra mund të kishte dhe një çmim më të lartë. Bankat e Shqipërisë mund të jepnin një vlerësim real të asaj prone dhe deri në kohën që t’i jepej pronarëve, ato fitime të shkonin për infrastrukturën e komunës. Komuniteti i pronarëve, qoftë këtu apo qoftë në Strasburg kur t’i njihej kjo pronë, mund të merrte fitimet e tij, por nuk do të humbiste përfitimet që do të vinin nga kjo pronë, qoftë në bazë të marrëveshjeve, kontratave që mund të lidheshin etj.
Realisht si e shikoni problemin ju aty, është vërtet një kompani që do të bëjë një investim serioz, apo është çështje e biznesit shqiptar që kërkon ta përdorë për interesa të tij?
Unë nuk besoj që aty bëhet fjalë për ndonjë kompani të huaj. Madje marrin njerëz që nuk dinë të flasin asnjë gjuhë dhe bëjnë sikur flasin italisht për tu hequr si përfaqësues të Club Med. Unë them se në rast se aty do të ishte Club Med, me ftesat që i kemi dërguar, ai do të kishte ardhur të paktën në zyrat e komunës Lukovë, dhe për vetë emrin e tij serioz që ka në fushën e turizmit.
Ju si kryetar komune s’keni asnjë kontakt me investitorët e huaj?
Jo, absolutisht. Unë besoj se aty ka njerëz që kanë investuar shumë në ryshfete. Edhe mua më është ofruar një ryshfet nga zoti Çela, rreth 1 milion euro.
Ju e keni të provuar?
Unë po e them, s’ka rëndësi, më ka dërguar njerëz në ditët e grevave për të marrë paratë dhe për t’i dhënë fund. Nuk jam duke bërë një akuzë përpara gjykatës. Por ne jemi përpara një realiteti shqiptar, që flitet për një aferë korruptive nga ana e kryeministrit të mëparshëm. Kryeministri i sotëm, kur ka marrë takime me mua si përfaqësues i Nivicës në atë kohë, ma ka pranuar këtë aferë korruptive, dhe i keni parasysh akuzat e tij në atë kohë kur ishte në opozitë, dhe jo vetëm një herë. Më mbrapa kjo ka vazhduar në të njëjtën mënyrë, politika e ryshfetit sërish ka funksionuar.
Po Partia Republikane çfarë qëndrimi ka në lidhje me këtë çështje?
PR ka pasur një qëndrim shumë pozitiv në të kaluarën, ndërsa sot me sa duket ka probleme të tjera që e shqetësojnë më shumë dhe nuk mendoj se e ka në vëmendje këtë çështje.
Sa të mundshme e shikoni realizimin e një premtimi që zoti Berisha ka dhënë pak ditë më parë se do të kompensojë pronarët e tjerë me troje turistike në bregdetin jugor. Ka troje të lira në bregdetin e jugut?
Në rast se Berisha bën fjalë për bregdetin tonë, sepse unë e njoh shumë mirë problemin e pronësisë në këtë bregdet, madje mund ta them saktë se cilat janë pronësitë. Pra, janë pronësi individuale, pronësi kolektive, ka dhe pronësi të ashtuquajtura “musha”, të fshatarëve që janë kthyer në toka bujqësore dhe që janë ndarë me ligjin 7501, dhe nuk është dhënë verdikti përfundimtar për këto troje. Po u bë dhe kjo, atëherë në bregdet nuk ka asnjë metër tokë të lirë. Pra, brenda këtij territori, të merret tokë për të kompensuar pronarë të tjerë, unë e shoh si një ogur shumë të keq për të përplasur pronarët me pronarët, dhe shqiptarët me shqiptarët. Kjo më duket një politikë, jo vetëm e papërshtatshme, por edhe një politikë e rrezikshme.
Nga pikëpamja politike, kush ju mbështet në të gjithë këtë histori, apo këtë betejë që keni ndërmarrë për të mbrojtur pronat tuaja?
Nuk shikoj asnjë lloj mbështetje, por nuk jam pesimist se nuk do të kemi dhe në të ardhmen një lloj mbështetje. Unë mendoj se forcat politike po e gjejnë vetveten, dhe në të ardhmen e afërt do të ketë dhe mbase edhe propozime konkrete për zgjidhjen e çështjes. Por nuk dua që këto premtime të jenë premtime fushatash elektorale dhe mbrapa të harrohen apo të shikohen interesat e tjera.
E gjithë kjo përdorje e institucioneve, si prokuroria, gjykata apo dhe administrata shtetërore në favor të një biznesmeni, ju bën optimist se do t’i japin zgjidhje këtij problemi?
Nuk jam optimist për dy gjykatat e niveleve të ulëta dhe të mesme. D.m.th, Gjykata e Faktit dhe ajo e Apelit mendoj se janë gjykata të ndikuara nga politika e ditës. Qoftë nga PS-ja kur ishte, qoftë nga PD-ja tani. Të gjithë kanë njerëzit e tyre të afërm që punojnë në administratë dhe janë mjaft të ndikuara nga kjo. Unë kam një eksperiencë disa vjeçare për këtë çështje, pra për Kakomenë dhe di ta vlerësoj situatën. Por edhe sot që ne jemi të detyruar të hapim gjyqe si komunë për procedurat, për marrje të masave të pezullimit. Pra, duke i dalë në mbrojtje pronës publike, nuk fitojmë ne që jemi shtet, por fiton biznesi. Ai zotëria atje, Dritan Çela u thotë: “E pe se çfarë bëra unë, solla 400 policë, kush m’i dha ata”. Pra, gjyqtarët e shohin dhe janë të detyruar që të marrin vendime në favor të tij, ose për raste analoge. Edhe për Gjykatën e Apelit. Ne kemi gjyqin në Gjykatën e Apelit këto ditë. Unë vërej se gjyqi është thirrur gjashtë apo shtatë muaj para kohe. Unë do doja që gjyqi të thirrej që të nesërmen kur ndodhi ajo në Gjykatën e Faktit. Por çfarë dua të them. Sjellja duke kapërcyer 600 apo 700 çështje për të sjellë këtë, mund të jetë veprim i lidhur me interesat e qeverisjes së sotme, ose me interesat e biznesmenit. Por ka dy momente, nga njëra anë biznesmenët paguajnë, nga ana tjetër pushtetarët e paguar nga këta biznesmenë bëjnë presion. Kështu veprohet. Mendoj se në Gjykatën e Lartë mund të ketë ndonjë shansi, por kemi vendosur dhe marrëdhënie me Gjykatën e Strasburgut. Gjithsesi, ajo pret që ne të përfundojmë procedurat me sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Kështu që do të zgjasë edhe disa vite për të zgjidhur problemet me drejtësinë.