Kryetari i PS-se Edi Rama ne shtypin grek Dimri me Greqine mbaroi
I njohur si njeriu që kundërshtoi fort marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, Edi Rama premton rikthimin e marrëdhënieve të mira mes Athinës dhe qeverisë që ai do të drejtojë. “Periudha e akullit mbaroi dhe stina e verës do të rikthehet së shpejti në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, ka thënë lideri socialist në një intervistë për gazetën greke Kathimerini. I pyetur nëse do ta zhbllokojë marrëveshjen për kufirin detar mes dy vendeve, Rama ka premtuar të gjejë mënyrën e duhur për ta riaktivizuar, në respekt të plotë – ka saktësuar – ndaj pikëpamjeve të njëri-tjetrit dhe vullnetit të mirë që kërkon nga të dy palët e ardhmja e përbashkët. Rama ka ftuar Athinën që të mos luajë e vetme por në ekip dhe shtoi se “ajo që emërtohet si lojë energjetike dhe u hap në rajonin tonë, është një lojë që nuk mund të luhet mirë, nëse nuk synojmë shpirt skuadre si rajon”.