Kryetari i PS91 organizon strukturat në Vlorë
Subjekti politik PS91, i drejtuar nga deputeti Petro Koçi, përfundoi dje organizimin e strukturave drejtuese të Rrethit të Vlorës. Mbledhja e grupit nismëtar për organizimin e PS91 të këtij rrethi konkludoi me zgjedhjen e kryetarit dhe sekretariatit të komitetit drejtues dhe të kryesisë. Kryetar u zgjodh Kasem Cenaj, sekretare e Përgjithshme Marika Cakërri, ndërsa sekretar organizativ Ylli Lalo. Në këtë takim mësohet të jetë diskutuar edhe rreth gjendjes politike në vend dhe përçarjes që ka sjellë tek e majta politika personale e kryetarit socialist Edi Rama. Lidhur me këtë, kryetari i PS91, Petro Koçi, theksuar se "të majtën nuk e dëmton ndarja në parti dhe subjekte të ndryshme politike, sepse sistemi proporcional i imponuar nga Edi Rama dhe Sali Berisha favorizon koalicionet paszgjedhore e jo ato parazgjedhore". Sipas tij, të majtën e ka dëmtuar politika përçarëse e Edi Ramës, i cili u bashkua me Berishën për të luftuar të gjithë socialistët ndryshe nga ai. "Përçarjen e së majtës e kanë shkaktuar ndryshimet berishiane të Kushtetutës dhe aprovimi i një Kodi Elektoral antisocialist", konstatoi deputeti Petro Koçi, kryetar i partisë. Ai shtoi se në vepra Rama bashkohet me Berishën, ndërsa vetëm me fjalë kërkon bashkim me socialistët. "Këtë sjellje populli e quan demagogji! Megjithatë e majta do t‘i fitojë zgjedhjet dhe jam i bindur se pas zgjedhjeve socialistët do të bashkohen në qeverisjen e re!", u shpreh Koçi. Në pozicionimet e saj të deritanishme, PS91 është afruar së tepërmi me Lëvizjen Socialiste për Integrim ,të drejtuar nga ish-kryeministri Ilir Meta.