E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i komunës Kolsh fiton gjyqin me qeverinë në Kushtetuese



Kryetari i një komune ka mposhtur dje qeverinë në betejën mes palëve në Gjykatën Kushtetuese. Paditësi i qeverisë, Abedin Oruçi, është zgjedhur kryetar i komunës Kolsh në zgjedhjet për pushtetin vendor të mbajtura në shkurt të vitit 2007. Ai ka qenë i zgjedhur në këtë detyrë dhe në tetor të vitit 2000. Me Vendimin nr. 1103, datë 30 korrik 2008, Këshilli i Ministrave (KM) ka vendosur shkarkimin e kërkuesit nga detyra e kryetarit të komunës Kolsh për shkelje të rënda ligjore. Gjatë shqyrtimit të çështjes është provuar se kërkuesi është akuzuar nga Prokuroria e Qarkut të Prizrenit Kosovë, për veprën penale të trafikimit të njerëzve, parashikuar nga Neni 139, paragrafi 5 i KPK. Kërkuesi ka qenë në paraburgim, në Prizren, prej datës 17.07.2008 deri më datë 25.07.2008. Gjykata e Qarkut në Prizren, me Vendimin nr. 168, datë 26.12.2008 e ka liruar kërkuesin nga akuza për mungesë të provave. Siç rezulton nga vendimi i gjykatës, i cituar më sipër, nuk është provuar që kërkuesi të ketë konsumuar elementet e veprave penale të trafikimit të qenieve njerëzore dhe detyrim prostitucioni. Gjykata është shprehur, se kryerja e një vepre penale dhe dënimi me vendim të formës së prerë nga gjykatat i një personi që ushtron një funksion publik, përbën shkelje të rëndë të ligjit në kuptim të Nenit 115/1 të Kushtetutës (Shih Vendimin nr. 22, datë 29.012009 të GJK). “Kjo gjykatë çmon se shkarkimi i kërkuesit nga detyra, bazuar vetëm në faktin e fillimit të një procedimi penal ndaj tij dhe për shkaqe ligjore që lidhen vetëm me veprën penale, pa u mbështetur në një vendim gjyqësor që deklaron fajësinë, ka cenuar të drejtën kushtetuese të kërkuesit për t’u prezumuar i pafajshëm dhe nuk plotëson kërkesat që rrjedhin nga Neni 115 i Kushtetutës. Siç rezultoi nga shqyrtimi i provave dhe fakteve të analizuara më sipër, nuk u provua që kërkuesi të ketë konsumuar elementet e veprës penale të trafikimit të qenieve njerëzore. Subjekti i interesuar nuk paraqiti prova të tjera që do të mbështetnin pretendimin e tij për shkelje të rënda të ligjit, pavarësisht nga fakti i mosdeklarimit fajtor të kërkuesit për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore”, - shkruhet në vendimin e Kushtetueses.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›