E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjelja e TVSH-së, në 3 muajt e parë të vitit vetëm 16 miliard lekë



Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në 3-mujorin e parë 2009 llogariten mbi 16 miliardë lekë, ose rreth 2 herë më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2005, kur u mblodhën 8,704 miliardë lekë. Të ardhurat nga TVSH-ja parashikohet të arrijnë në 10 për qind të PBB-së, ose 117 miliardë e 491 milionë lekë në vitin 2009. Të ardhurat nga TVSH-ja, sipas Ministrisë së Financave, për vitin 2008 kanë arritur në rreth 107 miliardë lekë, nga 106.9 miliardë, pra me një realizim të planit me 100.18 për qind. Të ardhurat nga TVSH-ja kanë zënë rreth 10 për qind të PBB-së në 2008-ën, nga 9 për qind që ishin në 2007-ën. Historikisht, në dogana janë mbledhur rreth 70 për qind e të ardhurave totale nga TVSH-ja, dhe 30 për qind TVSH brenda vendit. Kërkesës së herëpashershme të biznesit për ulje të mundshme të nivelit të TVSH-së, ekspertë të ministrisë së Financave i përgjigjen me faktin se, mbajtja e TVSH-së në këtë nivel përbën veprimin më pozitiv dhe të fuqishëm që ekonomia shqiptare të performojë dhe konkurrojë në tregun rajonal dhe më gjerë, si dhe instrumentin më të mirë për të nxitur eksportet shqiptare.

Kriza dhe mosanëtarësimi në NATO po çon Maqedoninë në kolaps ekonomik

Kriza globale ekonomike dhe mosanëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE janë dy arsyet kryesore për mungesën e investimeve nga jashtë në ekonominë e këtij vendi. Sipas ekspertëve, Maqedonia për herë të parë gjendet para një kolapsi ekonomik dhe financiar, prandaj qeveria duhet të ndërmarrë masa antikrizë, për ta zbutur sadopak impaktin ndaj ekonomisë dhe papunësisë në vend. Sipas tyre, qeveria duhet të përqendrohet tek investimet vendore dhe në punësimet e reja, sepse kjo qeveri nuk ka politika punësimi. Në Maqedoni për çdo ditë anulohen investimet e huaja duke shfaqur mosinteresim për investime të projekteve të tyre. Deri tani janë shfaqur të pasigurta edhe investimet e paralajmëruara të kompanisë turke për aeroportet “TAV”, kompania franceze për pjesë të makinave "Montipe", kompania kroate "Agrokor", ndërsa nuk ka asgjë nga ndërtimi i "Qytetit të diellit" në Vodno. Një dështim tjetër me investime të parealizuara janë edhe ato të paralajmëruara nga kompania sllovene "Iskra" dhe ajo turke "Buroteknik otomotiv". Pjesa më e madhe e këtyre investimeve u paralajmërua vitin e kaluar si rezultat i fushatës qeveritare "Investoni në Maqedoni".

Itali-Bullgari, firmoset marrëveshja për Korridorin 8

Rikthehen sërish marrëveshjet dhe bisedimet për ndërtimin e Korridorit 8, aksit të shumëpërfolur për më shumë se 10 vjet. Mediat e Sofies bëjnë të ditur se Ministri për Zhvillimin Rajonal dhe Punët Publike të Bullgarisë, Asen Asen Gagauzov ka njoftuar firmosjen e marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8. Gagauzov e ka bërë këtë deklaratë për një radio vendase në qytetin e Slivenit. Realizimi i projektit përshin rindërtimin e rrugës së vjetër që lidh Europën me Azinë. Korridori i transportit do të nisë në rajonin e Pulias së Italisë, në Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, Moldavi, Rusi dhe më pas lidhet me korridorin e transportit të Azisë. Projekti është skicuar për transportin hekurudhor, automobilistik dhe detar në rajonin e Detit të Zi. Ideja për ndërtimin e Korridorit 8 është hedhur që në vitin 1994 por nuk ka arritur ende që të bëhet i financueshëm nga donatorët. Edhe BE-ja nuk e ka përfshirë në listën e projekteve prioritare pan-europiane që duhet të financohen. Ndonëse janë bërë shumë takime të niveleve të larta, si dhe janë shkruar strategji, projekti mbetet më shumë një ëndërr sesa një realitet për të gjitha vendet e interesuara.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›