Raporterët e KE-së: Sa lart ka shkuar Shqipëria.
Ndryshimet e bëra në Shqipëri janë befasuese dhe jam i impresionuar nga progresi i bërë. Çdokush mund ta shohë se sa larg ka shkuar ndryshimi vitet e fundit.
Ky është vlerësimi i bërë nga Raporteri i Këshillit të Europës për Shqipërinë, David Wilshire, i cili sa bashku me raporterin Jaakko Laakso takuan sot Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Kryetarja e Kuvendit pasi falënderoi raporterët e KE-së për vlerësimin e bërë, u shpreh se angazhimi i Qeverisë dhe Kuvendit është maksimal për të vijuar rrugën e nisur të reformave.
Në Kuvend, tha zonja Topalli, kemi realizuar reforma të mëdha, siç ishin ndryshimet kushtetuese të cilat u mirartuan me konsensusin më të gjerë të arritur në këto 18 vjet. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ishte një mbështeje e dhënë për gjithçka që Shqipëria ka realizuar. Kjo ftesë është një motivim më shumë në thellimin e reformave dhe kemi besim se vitin e ardhshëm do të antarësohemi me të drejta të plota në Alenacën e Veriut.
Kryetarja e Kuvendit i njohu raporterët me reformat në proces në Kuvend, si ajo e drejtësisë dhe reforma zgjedhore. Kryetarja Topalli theksoi se Institucionet shqiptare kanë të gjithë vullnetin për të realizuar zgjedhje të lira e me standarde dhe brenda një kohe të shkurtër do të bëhen pasaportat biometrike dhe Kartat e Identitetit.
Nga ana e tyre raporterët e KE-së vlerësuan në mënyrë të veçantë reformat ekonomike të realizuara në Shqipëri, duke i cilësuar ato si reforma që e kanë çuar Shqipërinë shumë lart.