Kryetarja e Kuvendit në hapjen e ekspozitës me foto nga jeta e Heroit të Demokracisë, Azem Hajrari.Topalli: Azem Hajdari ishte njeriu që përcillte besim shpresë e kurajo.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ishte sot e pranishme në hapjen e ekspozitës së veçantë me foto nga jeta e Heroit të Demokracisë Azem Hajrari, një bashkëpunim i ATSH-së dhe Ministrisë së Turizmit Kulturës Rininisë dhe Sporteve.
Duke folur rreth momenteve të fiksuara në foto por edhe për jetën e liderit të dhjetorit 90 Azem Hajdari, Kryetarja e Kuvendit u shpreh:
Këtu janë të fiksura çaste shumë të veçanta të një historie shumë të veçantë, të historisë së Partisë Demokratike që, në fakt, është historia e Shqipërisë. Partia Demokratike ka bërë historinë e Shqipërisë së këtyre 20 viteve dhe Azem Hajdari në këtë pjesë të historisë ka një vend piedestal. Pa dyshim që gjatë këtyre ditëve së bashku me miqtë kemi kujtuar momentet më të veçanta të këtyre 20 viteve. Azemi ishte lideri i lëvizjes studentore dhe kjo e bën të hyjë në histiori. Ishte një moment tjetër shumë të rëndë, 97-ta kur një pushtet i zgjedhur me votë të lirë u rrëzua me dhunë, një moment kur dukej sikur PD-në kërkonin ta zhduknin. Dhe këto momente kërkojnë liderë që të inkurajojnë, që të japin besim dhe të bëjnë të mendosh se nuk mund të pranosh kulturën e dhunës. Dhe një ndër ata që skaliti besimin, shpresën dhe kurajon, ishte Azemi.
Duke përmendur disa nga kujtimet e shumta me deputetin e Partisë Demokratike Hajdari, Kryetarja e Kuvendit tha se Azem Hajdari ishte njeriu që përcillte besim shpresë e kurajo.
E kujtoj Azemin në Vlorë kur, së bashku me kolegët e tjerë ishim në një moment shumë të vështirë dhe ai përcillte kurajo. E kujtoj Azemin në Tropojë kur shkuam për të çuar ndihma se po vinin kosovarët e parë që po iknin nga Kosova në kohën e luftës, dhe Azmei përcillte shpresë e kurajo. E kujtoj Azemin në Parlament në fjalimet e tij të jashtëzakonshme. Ishte një mik, ishte një lider që nuk kërkoi kurrë pushtet por që tregoi se autoriteti i tij edhe pa ndonjë pozitë ministri apo pushtetari mund të të bëjë shumë me të madh se çdo karrige tjetër, ndaj dhe unë falënderoj ATSH-në dhe Ministrinë e Kulturës për këtë ekspozitë, tha Kryetarja Topalli.