Mesazh artisitik kundër dhunës ndaj gruas.
Çelet ekspozita e piktorit Gjovalin Paci Monolog femëror , nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
Personaliteti i femrës, ëndërrat, inteligjencia, sakrifica e ambicja femërore u përcollën përmes simboleve të artit pamor në një ekspozitë të veçantë me punime të piktorit të mirënjohur Gjovalin Paci.
E titulluar Monolog Femëror, kjo ekspozitë e çelur nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, solli një risi në këtë fushë, duke gërshetuar artin me jetët e miliona femrave që krijuan profilin e femrës në kohë.
Artiste të njohura, gra të shqura të kulturës, pedagogjisë, shkencës e politikës panë nga afër punimet e piktorit Paci, të ekspozuara në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
Piktori Gjovalin Paci, në hapje të ekspozitës, vlerësoi mbështetjen e Kryetares së Kuvendit, për hapjen e kësaj ekspozite të veçantë në karrierën e tij, por dhe për vetë jetën artistike në kryeqytet.
Qëllimi i hapjes së kësaj ekspozite është që, nëpërmjet elementeve artsitikë si piktura, njerëzit të jenë ndjeshmërisht edhe socialë në mendim dhe në veprim, tha artisti Gjovalin Paci.
Znj.Topalli e vlerësoi këtë ekspozitë,si një nga evenimentet më interesante, jo vetëm për vlerën dhe mesazhin që përcjell piktori, por dhe për profesionalizmin, me të cilin ai ka skicuar portertin e gruas, duke filluar që nga Eva, Kleopatra, Zhan DArk e Nënë Tereza.
Mbështetja për çeljen e kësaj ekspozite është një tjetër nismë e rëndësishme që, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ka ndërmarrë në kuadër të fushatës kundër dhunës ndaj gruas.
Kryetarja Topalli ftoi të gjitha gratë t'i bashkëngjiten angazhimit politik social të të gjithë grupeve të shoqërisë, për t'u ndërgjegjësuar dhe për të vepruar më pas, në një koalicion midis institucionit ligjvënës, grupeve shoqërore, mjekëve, e të tjerë kundër këtij fenomeni.
"Nuk ka dhimbje më të madhe, veçanërisht për fëmijën, kur shikon prindin të dhunohet fizikisht, abuzohet emocionalisht, apo në forma të tjera. Ky është një debat, në fakt, që vetëm kohët e fundit ka filluar në Shqipëri, ndërkohë që është një problem që ekziston përtej kufijve tanë gjeografikë, sepse është e lidhur me problemet e kulturës, edukimit, civilizimit dhe faktorëve të tjerë historikë, shoqërorë edhe ekonomik. - vuri në dukje, Znj.Topalli
"Ndaj dhe jo rastësisht janë sot këtu, tha zonja Topalli, artiste, muzikantë, piktorë, e të ftuar të tjerë, për të tëhequr vëmendjen e shoqërisë dhe për të kontribuar përmes autoritetit të tyre në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare, për t'i thënë ndal dhunës në familje".
Nga ana e tij autori i ekspozitës, piktori Paci, duke shpjeguar mesazhin e monologut femëror, tha se dhuna në tërësi dhe ndaj femrës në veçanti, është element i të pafuqishmit , i dështimit dhe i mungesës së vëmendjes nga të tjerët, për të qenë i barabartë.
Gjovalin Paci është një nga piktorët më të njohur shqiptarë, i cili ka hapur me dhjetëra ekspozita në Shqipëri dhe shumë vende të Europës