E Diel, 1 Nëntor 2026

Veprat e Kongolit ngrenë lart letërsinë tonë dhe e fusin atë me dinjitet në botën e letrave me vlera universale.

 
Fjala e Kryetares së Kuvendit në aktivitetin kushtuar veprës së shkrimtarit të mirënjohur, Fatos Kongoli, zhvilluar në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, në kuadër të Vitit Europian të Dialogut Ndërkulturor.

"Z.Kongoli nderon sot Kuvendin duke qenë i pranishëm këtu me miqtë e tij. Ai është një nga shkrimtarët tonë të spikatur, një nga ambasadorët e letrave shqipe në botë, anëtari i ri i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Studioi matematikë sepse nuk kishte marksizëm në konceptet e gjeometrisë.
 
Që në romanet e para pas rënies së diktaturës, Kongoli shpalosi me origjinalitet dhe nivel të lartë artistik aftësitë e tij si shkrimtar sa cilësor dhe prodhimtar. Si shkrimtar ai ka hulumtuar e përvijuar shtigje të reja në prozën e gjatë të letërsisë shqiptare.
 
Fakti që vepra e tij u bë e dashur për një masë të gjerë lexuesish të të gjitha niveleve flet për suksesin e padiskutueshëm të krijimtarisë së tij letrale, flet për talentin, pasionin dhe punën e tij të madhe për të përsosur mjeshtërinë e tij artistike, për të qenë një rrëfimtar bashkëkohor e modern, që i kapërceu me sukses kufijtë letrarë kombëtarë duke hyrë natyrshëm në universin letrar botëror. Sot krijimtaria e tij letrare është e përkthyer dhe botuar në mbi tetë gjuhë të huaja.

Jehona e veprës së Kongolit në shumë vende të Europës e më tej, krahas asaj në trojet shqiptare, është pasqyruar në mendimin kritik, nëpërmjet shtypit periodik e letrar, si Le Monde, Le Figaro, Le Temps, La Stampa, LExpress, Le Soir, Magazine Littérarire, The Guardian, The Independent, Der Tagesspiegel etj.
Shtypi francez e ka përshkruar Kongolin si një përzierje, e Beckett dhe Dostojevskit

Çmimet prestigjioze që veprat e tij kanë marrë brenda e jashtë vendit, janë shpërblime të merituara, që mbushin me krenari çdo shqiptar, që ngrenë lart letërsinë tonë dhe e fusin atë me dinjitet në botën e letrave me vlera universale. Krahas shkrimtarëve të tjerë shqiptarë të njohur e të vlerësuar në botë, Fatos Kongoli është një emër më tepër që demonstron hapur pasurinë në rritje të letrave shqipe.
 
Ndërsa njeh prozën e Kongolit nuk mund të mos kuptosh pse ai është kaq i njohur dhe i suksesshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë.
 
Fatos Kongoli duke njohur dhe përjetuar të kaluarën e dhimbëshme dhe tranzicionin e vështirë shqiptar, hyn në psikikën e personazheve të vet, për të zbuluar ndryshkun dhe mykun e grumbulluar dhe për ta nxjerrë atë në dritën e së vërtetës. Me aftësinë e tij krijuese Kongoli memorizon një botë, e cila për fat të mirë, është një dukuri në zhdukje. Dhe këtë nuk e arrin me parrullat e propogandës, por me gjuhën e gdhendur të artit.
 
Drama e shqiptarit edhe në ditët tona shihet si vazhdimësi e një procesi të dhimbshëm shoqëror. Pa evidentimin e kësaj drame, pa zbulimin e rrënjëve ekzistenciale të saj, proza e tij do të mbetej një melodramë e rëndomtë ose një rrëfim analitik ngacmues.
 
Me lehtësi e zhdërvjelltësi shkrimtari lëviz e zhvendoset në kohë e hapësirë, duke vëzhguar me mprehtësi e intuitë një realitet të kapërcyer, por edhe një realitet që po përjetojmë. Paradokset e jetës shqiptare në penën e Kongolit shoqërohen me një ironi të hollë, por gjithsesi keqardhëse, që përcjell shtjellimin e subjektit dhe karakterizimin e personazheve.
 
Fatos Kongoli nuk është as himnizues, por as injorues i botës shqiptare. Ai mbetet në thelb një humanist i vërtetë. Vepra e Kongolit, siç ka vërejtur me të drejtë kritika letrare, shënon një hap të dukshëm drejt prozës moderne shqiptare.
 
I urojmë zotit Fatos Kongoli shëndet, prosperitet e krijimtari edhe më të begatë në të ardhmen. "

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›