Kryetarja e Kuvendit pret në takim Kryetarin e Parlamentit maqedonas, Trajko Veljanovski, në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë Maqedonisë.Të lobojmë që projekte të rajonit, si Koridori tetë, të jenë në prioritetet e financuara nga BE.
Vizitën e parë jashtë Maqedonisë, pas zgjedhjes si Kryetar i Parlamentit. zoti Trajko Veljanovski vendosi ta bëjë në Shqipëri, në përgjigje të ftesës së Kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefina Topalli.
Gjatë takimit miqësor, dy Kryetarët e parlamenteve, nisur nga një nivel i shkëlqyer dhe aktiv i marrëdhënieve politike mes dy vendeve, theksuan domosdoshmërinë e intensifikimit dhe ngritjes cilësore të bashkëpunimit ekonomik dhe tregëtar, edhe pse ky bashkëpunim ka njohur rritje vitet e fundit.
Sapo kaluam kufirin, vumë re me kënaqësi një zhvillim shumë të madh të infrastrukturës në Shqipëri, thanë përfaqësuesit e delegacionit maqedonas, duke shtuar se, infrastruktura është një nga bazat e zhvillimit ekonomik dhe zgjerimit të tregut rajonal.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi përparimin e bërë nga Maqedonia në procesin e integrimit në BE, duke shtuar se Shqipëria ka bërë reformave të mëdha ligjore dhe ekonomike, ka një rritje ekonomike mbi 6 përqind dhe stabilitet e siguri që ka rritur interesin të investitorëve të huaj. Falë këtyre reformave të vlerësuar ndërkombëtarisht, vendi ynë jo vetëm po zhvillohet por është shumë pranë BE-së dhe NATO-s
Duke vlerësuar si shumë rezultative reformat e bëra nga Shqipëria, që ndikojnë edhe në zhvillimin rajonal, zoti Veljanovski shtoi se:
Është në kënaqësinë tonë që, si vend i cili ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, të bashkëpunojmë me Shqipërinë për të dhënë të gjithë përvojën tonë. Bashkëpunimi në kuadër të A3-shit rezultoi i suksesshëm, pavarësisht se Maqedonia për shkaqe të tjera nuk arriti dot të marrë ftesën për anëtarësim në NATO si Shqipëria dhe Kroacia.
Edhe ne ashtu si ju, tha Kryetarja e Kuvendit, do të kishim dashur që ftesa për NATO të merrej nga të treja vendet e Kartës së Adriatikut, por megjithatë, ne kemi besim se shumë shpejt edhe Maqedonia do të mund ti bashkohet dy vendeve të tjera, për të vazhduar së bashku rrugëtimin për tu bërë anëtarë të Alenacës. Hapja e dialogut politik për liberalizimin e vizave për vendet tona dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor është rrjedha e natyrshme progresive e Marrëveshjes për lehtësimin e vizave.
Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Kryetarja e Kuvendit tha se:
Një nga lajmet më të mira nga rajoni ishte njohja e Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi, e bërë në kohën e duhur, duke treguar kështu mendësinë perendimore të rajonit të orientuar pa kthim drejt integrimi euroatlantik.
Maqedonia ka mbështetur gjithmonë planin Ahtisari, tha zoti Veljanovski. Duke patur parasysh edhe ndjenjat e popullit maqedonas ndaj Kosovës, mendoj se e njohëm këtë shtet të ri në kohën e duhur. Ne besojmë se lista e vendeve që e njohin Kosovën do të rritet e, shumë shpejt ky shtet do të bëhet pjesë e OKB-së.
Gjatë bisedës për bashkëpunimin ekonomik, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë theksoi se një prioritet konkret është edhe linja e interkonjeksionit mes dy vendeve, që do të sillte një rritje të furnizimit me energji me një kosto më të ulët.
Një nga temat qendrore të bisedës ishte bashkëpunimi në kuadër të Korridorit tetë.
Në vizitën time para pak javësh në Bullgari, tha Kryetarja e Kuvendit, gjatë bisedës më Kryetarin e Parlamentit, Pirinski diskutuam mbi bashkëpunimin mes Bullgarisë, Shqipërisë, dhe Maqedonisë, për të nxitur Bashkimin Europian ta rendisë këtë projekt në prioritetet e financuara nga BE-ja. Kjo mund të realizohet përmes takimit të komisioneve përkatëse parlamentare dhe një letre të përbashkët të tre Kryetarëve të parlamenteve drejtuar BE-së.
Duke e cilësuar si shumë efikase dhe të rëndësishme këtë nismë, zoti Veljanovski, tha se Maqedonia është e gatshme për këtë bashkëpunim, por edhe të tjerë si këto, për të nxitur një vemëndje më të madhe të BE-së për projektet në Ballkan.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ndanë mendimin se çdo takim, jo vetëm mes krerëve të parlamenteve por edhe e komisioneve parlamentare dhe deputetëve të dy dy shteteve, forcon dhe e bën më konkret bashkëpunimin. Ky bashkëpunim parlamentar hap rrugë të reja në të gjitha fushat në marrëdhëniet mes dy vendeve.