E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit pret në takim deputetin e Bundestagut gjerman, Valter Kolbou.Kolbou: Ndryshimet e Shqipërisë, optimizëm për të ardhmen në BE.

    Europa nuk do të ishte Europë pa Shqipërinë. Ju keni ecur shumë përpara vitet e fundit dhe ndryshimet që keni bërë janë arsye e fortë për të qenë optimistë për të ardhmen tuaj në BE, tha sot Valter Kolbou, përfaqësues i grupit parlamentar PSD në Bundestagun Gjerman,  në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli.   Për ne, tha Kryetarja e Kuvendit, partneriteti me Gjermaninë është shumë i rëndësishëm dhe tashmë pas anëtarësimit në NATO, ne jemi të lumtur që do të intensifikojmë bashkëpunimin dhe aleancën me vendin tuaj që na ka mbështetur gjithmonë.   Ne tha zoti Kolbou, i ndjekim me vëmendje zhvillimet pozitive në Shqipëri. Distancat gjegrafike mes Shqipërisë dhe vendeve të BE janë të shkurtra, ju jeni pjesë e Europës dhe ne e shohim vendin tuaj me një të ardhme të sigurt në Bashkimin Europian.   Deputeti Kolbou, një nga ekpertët e politikës gjermane në fushën e  mbrojtes, vlerësoi bashkëpunimin me Shqipërinë në misionet paqeruajtëse në botë duke theksuar se reformat e bëra nga Shqipëria në fushën ushtarake dhe jo vetëm, kanë qenë shumë të rëndësishme dhe të suksesshme dhe niveli i ushtarakëve shqiptarë në këto misione ka qenë shumë i lartë.   Shqipëria ka ecur shumë dhe veçanërisht vitet e fundit keni qenë shumë të suksesshëm. Ne jemi shumë të interesuar të intensifikojmë bashkëpunimin jo vetëm mes dy parlamenteve por mes dy vendeve tona, tha zoti Kolbou   Shqipëria, tha Kryetarja e Kuvendit, ka bërë ndryshime të mëdha në një kohë shumë të shkurtër. Për ne, anëtarësimi në NATO ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme, fryt i reformave të bëra, i vullnetit maksimal. Gjatë këtij mandati të parë, kemi ndërmarrë reforma të guximshme ligjore dhe ekonomike. Buxheti është dyfishuar, kemi rritur pagat e pensionet, investimet kanë qënë kolosale dhe rritja ekonomike vazhdon të jetë pozitive.   Fokusi ynë theksoi ajo, janë tashmë zgjedhjet e përgjithshme dhe për ne ska gjë më të rëndësishme se realizimi i zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka pasur. Jemi optimist për këtë sepse kemi arritur të krijojmë një infrastrukturë moderne zgjedhore të standardeve shumë të larta.   Duke u ndalur në politikën e  jashtme, Kryetarja e Kuvendit tha se përqendrimi është  në liberalizimin e vizave dhe do të bëjmë të gjithë përpjekjet për të përmbushur së shpëjti  këtë ambicje tonën dhe të të gjithë shqiptarëve.   Duke ofruar gjithë mbështetjen e Gjermanisë, dhe duke  uruar suksese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, zoti Kolbou shprehu interes për të forcuar më tej bashkëpunimin jo vetëm politik por edhe atë ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në fusha si turizmi, energjia apo infrastruktura.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›