E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret delegacionin e parlamentarëve gjermanë.

18 maj 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti në mjediset e Pallatit të Brigadave një delegacion deputetësh të Parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë, të cilët shoqëroheshin nga Ambasadori gjerman në Tiranë, z. Bernard Borhard.

Presidenti Topi pasi u uroi mirëserdhjen miqve gjermanë, vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve tona, duke theksuar faktin se Shqipëria e konsideron Gjermaninë si një partner strategjik shumë të rëndësishëm të saj.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë nga Gjermania për proceset demokratizuese dhe integruese të vendit tonë, duke nënvizuar sidomos rëndësinë e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO, atë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian si dhe qëndrimin në mbështetje të çështjes së Kosovës.

Presidenti Topi bëri një përshkrim të shkurtër të reformave të ndërmarra në vend si reforma në drejtësi, ajo ekonomike, zgjedhore, etj., me synim përmbushjen e standardeve integruese. Në këtë pikë, Presidenti Topi theksoi “rëndësinë e madhe të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 28 qershorit, të cilat duhet të jenë të lira, të drejta e të pakontestuara, në mënyrë që të kapërcehet me sukses edhe ky gur prove i plotësimit të standardeve integruese”.

Në takim u diskutua edhe situata në rajonin e Ballkanit, duke vënë theksin në ndryshimin e realitetit gjeo-politik, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri demokratik e shumëetnik, dhe vendosjes së një klime të re dialogu politik e bashkëpunimi ekonomik me qëllim integrimin e gjithë vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike.

Deputetët e Parlamentit gjerman, zotërinjtë Valter Kolbov dhe Martin Vajs, pasi shprehën mirënjohjen për pritjen e rezervuar nga Kreu i shtetit shqiptar dhe urimet më të sinqerta për futjen e Shqipërisë në NATO, “në këtë bashkësi vlerash të përbashkëta dhe zgjidhjesh ushtarake”, duke e siguruar Presidentin Topi se mbështetja e Gjermanisë ndaj plotësimit të aspiratave integruese të vendit tonë do të vazhdojë të jetë intensive dhe e palëkundur.

Parlamentarët gjermanë vlerësuan arritjet dhe transformimin e madh të pësuar nga vendi ynë gjatë viteve të fundit, dhe shprehën vullnetin për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat si përsa i përket rritjes së dialogut politik dhe bashkëpunimit ndërparlamentar, ashtu edhe shkëmbimeve ekonomike, në fushën e kulturës, kërkimeve shkencore, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›