E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizimi strategjik i burimeve njerëzore

13-10-2012 / Agim Maxhera

Me gjithë ekonominë ende të dobët në Kosovë, numri i bizneseve, sidomos atyre që ofrojnë prodhime konsumuese është rritur. Me këtë është rritur edhe rivaliteti në mes kompanive dhe nevoja, si kurrë më parë, për taktika dhe strategji biznesore për t’u dalluar nga konkurrentët dhe për të fituar përqindje më të madhe të tregut. Viteve të fundit është parë dukshëm vetëdijesimi i bizneseve Kosovare me qasje të organizuara mirë në fushën e marketingut, dhe krijimit te imazhit në përgjithësi, gjë që për disa organizata kjo duket se ka funksionuar. Por, shumë kompani vendore duhet ta kuptojnë që mënyra më e mire, më e sigurt dhe më e suksesshme drejt një rivaliteti më të qëndrueshëm dhe fitimit më të madh të tregut, është në fakt përmes punëtorëve. Janë vetë njerëzit e një ndërmarrjeje ata të cilët i japin kahe atij biznesi. Me një organizim dhe menaxhim strategjik të burimeve njerëzore, bizneset të cilësdo natyrë apo të çfarëdo madhësie, të vogla, të mesme, e të mëdha, përpos që sigurojnë një harmoni përbrenda ndërmarrjeve të, bëjnë edhe një përshtatje të strategjive të burimeve njerëzore me strategjitë e përgjithshme të biznesit, duke qenë të sigurt që synimet afatshkurtra e afatgjate të kompanisë do të arrihen, gjithmonë pra duke fuqizuar vetë personelin.
Edhe pse temë shume e gjerë e komplekse, janë disa pika kyçe që ndërmarrjet duhet pasur parasysh kur organizojnë fuqinë punëtore. Fillimisht menaxhmenti i çdo biznesi duhet të dijë se cilat politika dhe praktika të burimeve njerëzore dhe çfarë investimesh në personel janë vitale për një performancë me të mirë të biznesit. Së dyti, përmes menaxhmentit apo shpeshherë përmes konsulentëve të jashtëm, bizneset duhet të bëjnë një rishikim të detajuar të politikave, praktikave dhe nevojave të tanishme të burimeve njerëzore në mënyrë që të përcaktojnë nëse ato fillimisht janë përshtatur me strategjitë tjera të përgjithshme të biznesit. Për shembull, hulumtime duhet të bëhen mbi synimet afatgjate te ndërmarrjes si planifikimi i rritjes dhe shtrirjes se biznesit; parashikimet dhe planifikimet se çfarë lloj njerëzish me çfarë kualifikimesh e aftësish do t’i duhen kompanisë dy, tre apo pesë vjet nga sot në mënyrë qe ajo të ruajë aftësitë e saj konkurruese dhe të vazhdojë rritjen e saj duke përfituar më shumë treg; a ka ndërmarrja njerëz të tillë apo duhet të fillojë përgatitjen e tyre; si do ta arrijë këtë etj.
Varësisht nga të gjeturat e këtyre studimeve të burimeve njerëzore, përpilohen raportet dhe planifikimet për të ardhmen, krahas strategjive të përgjithshme të biznesit. Një përcaktim i saktë i nevojave të tilla do ta ndihmonte kompaninë në rrugë drejt synimeve të saj dhe njëkohësisht do ta kursente nga investimet eventuale të pasakta dhe të panevojshme, të cilat përpos qe do t’i kushtonin kompanisë financiarisht, do ta lëndonin edhe vetë imazhin e saj. Për më tepër, hulumtime të tilla të burimeve njerëzore do të siguronin që strategjitë e propozuara nga studimet paraprake po implementohen.
Pra, burimet njerëzore duhet të studiohen, testohen e maten në vazhdimësi njëjtë siç behet, për shembull, me financat apo marketingun, për të parashikuar dhe planifikuar ditë më të mira e me të sigurta për kompaninë. Bizneset që e kuptojnë rëndësinë dhe faktin që sukseset në biznes arrihen duke organizuar strategjikisht fuqinë punëtore, duke i studiuar dhe matur vazhdimisht politikat dhe praktikat e burimeve njerëzore, duke ndihmuar dhe fuqizuar personelin, arrijnë qe te jenë më të përditësuara dhe të pakonkurrencë në industrinë ku veprojnë. Oliver Wendell Holmes, një jurist i vjetër amerikan ndër të tjera pati thënë që tragjedia më e madhe është shkatërrimi i burimeve njerëzore si mosaftësi që të shfrytëzojmë aftësitë tona deri në maksimum.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›