Mosndërhyrje në Siri?
Deri më tani, SHBA-ja është marrë me forma të ndryshme të tranzicionit politik në “Pranverën arabe”, pa ndonjë gabim dëmtues. Megjithatë, Siria paraqet sfidën më të madhe
Më shumë se secila nga ngjarjet e mëparshme në “Pranverën arabe”, kriza në Siri është duke paraqitur vështirësi serioze për politikanët perëndimorë. Njëjtë sikur që Siria paraqet një shoqëri më komplekse, krahasuar me shtetet e tjera arabe, që aktualisht po kalojnë nëpër fazën e tranzicionit politik, ashtu edhe marrëdhëniet e saj me jashtë janë më komplekse. Si rezultat i kësaj, çfarëdo përpjekje për ndërhyrje ushtarake jo vetëm që do të ishte e vështirë, por edhe jashtëzakonisht e rrezikshme. Roli i rëndësishëm i Sirisë në Liban, madje edhe pas tërheqjes së forcave të saj okupuese atje, paraqet vetëm njërin prej komplikimeve. Një nga komplikimet e tjera është pushteti i pakicës alavite në një shtet me shumicë sunite, gjë që e bën Sirinë armike të Iranit shiit në botën sunite arabe. Po ashtu, edhe grupet e tjera minoritare siriane – shiitët joalavitë, ortodoksët apo të krishterët – janë të lidhur me shtetet fqinje dhe fuqitë rajonale, gjë që nënkupton interesim të jashtëzakonshëm nga jashtë, e madje edhe përkrahje aktive. Turqia, Arabia Saudite dhe Rusia kanë interesa strategjikë dhe lidhje me fraksionet në Siri. SHBA-ja dhe aleatët e saj në NATO natyrisht se do të preferonin një regjim demokratik dhe me orientin perëndimor në Siri. Por, duke e pasur parasysh shoqërinë komplekse të këtij shteti dhe lidhjet me jashtë, Perëndimi do të duhej të pajtohej me një qeveri stabile, e cila nuk do të dominohej nga Rusia apo Irani dhe as të mos jetë në një konflikt ushtarak me fqinjët e saj, përfshirë Izraelin.
Pra, cila është rruga më e mirë për SHBA-në dhe Perëndimin? Një fund i negociuar do ta mbante në pushtet regjimin e presidentit Bashar al-Assad, ndonëse me një fytyrë të re në krye të tij. Një rezultat i tillë do të ishte triumf për kauzën e diktaturës radikale, shtypjes së të drejtave të njeriut, Iranit dhe Rusisë. Por ai bëhet edhe më pak i mundshëm, derisa dhuna po intensifikohet. Kjo i hap rrugë opsionit të mbështetjes së rebelëve, por cilëve dhe si? Sidoqoftë, një faktor tjetër që shkon kundër ndërhyrjes është se shpërndarja e pushtetit që po vjen si rezultat i “Pranverës arabe” është duke e lënë SHBA-në me ndikim të kufizuar dhe pak mundësi për marrjen e të dhënave në fushën e inteligjencës. Por SHBA-ja dhe Perëndimi nuk mund t’ua lënë këtë çështje tërësisht të tjerëve apo t’i kufizojnë përpjekjet e tyre vetëm tek Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku Rusia dhe Kina janë duke e penguar ndërmarrjen e ndonjë aksioni efektiv.
Prandaj, çfarë duhet të bëhet? Sipas mendimit tim, SHBA-ja mund të bashkëpunojë me Turqinë, Arabinë Saudite (duke u përkujdesur që të mos përkrahë ekstremistët islamikë) dhe aleatët e saj në NATO, posaçërisht Francën dhe Britaninë, për ta krijuar një qeveri me perspektivë për Sirinë dhe për ta armatosur elementin e saj ushtarak. Një qeveri e tillë do të duhej të ishte reprezentative dhe koherente. Po ashtu, fuqitë perëndimore do të duhej të ishin të sigurta se armët e tyre nuk do të binin në duart armike.
Fakti se Irani është duke e armatosur regjimin e Assadit kërkon që të ndërmerret kundërpërgjigjja. Disa kanë sugjeruar në këtë aspekt një rol më aktiv ushtarak për SHBA-në, duke filluar me vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit. Një gjë e tillë edhe mund të ndodhë. Por francezët dhe britanikët, që patën nxitur një gjë të tillë në Libi, nuk kanë bërë propozimin e ngjashëm për Sirinë. Njëra prej arsyeve është se Siria ka një sistem të fuqishëm të mbrojtjes ajrore, i cili do të duhej të shkatërrohej përmes një fushate bombardimesh – duke shkaktuar viktima të shumta civile dhe duke vënë në rrezik ushtarët e huaj. Para se të nisej drejt asaj rruge, SHBA-ja duhet të bindet se për aksionin ushtarak nuk do të duheshin forcat tokësore amerikane në Siri. Amerikanët po ashtu duhet të jenë të bindur (gjë që është e pamundur tani) rreth natyrës që do ta ketë qeveria e ardhshme. Për përmbushjen e këtyre kritereve, e domosdoshme do të ishte që të formohej një grup shtetesh të interesuara, në mënyrë që të mblidhen më shumë njohuri rreth implikimeve si të brendshme, ashtu edhe atyre rajonale në rast të ndërhyrjes ushtarake. Vëmendja që i është përqendruar çështjes siriane gjatë samitit të fundit të shteteve të papërcaktuara në Teheran ishte parodi e një veprimi të tillë.
Mbajtja e një konference të tillë nuk është edhe aq e lehtë. Vetëm finalizimi i listës së mysafirëve do të ishte një arritje e madhe diplomatike. Natyrisht se Turqia, Egjipti, Arabia Saudite dhe Iraku do të duhej të ishin të ftuara. Rusia, SHBA-ja e mbase edhe Franca dhe Britania duhet të ishin të pranishme. Por, shpërfillja e një fqinji, si Izraeli, një klienti sirian, si Libani, apo një padroni si Irani do të ishte gjë e rrezikshme – derisa ftesa e të gjithë atyre do të ishte formulë për kaos. Kryengritja në Siri, më e dhunshmja e rebelimeve të “Pranverës arabe”, është duke u zhvilluar ngadalë por rrezikshëm. Shifra e rreth 10.000 të vrarëve gjatë 18 muajve të fundit është e barabartë me numrin e viktimave brenda vetëm disa ditësh më 1981, në qytetin Hama nga babai i Assadit, Hafez al-Assad, politika shkatërrimtare e të cilit ia përforcoi pushtetin dhe shkaktoi vetëm retorikë të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare. Pasojat pritet të jenë më të rënda kur, herët apo vonë, regjimi të bjerë. Assadët, njëjtë si liderët e tjerë autoritarë arabë, kanë mbajtur nën kontroll dhunën e brendshme dhe aspiratat e qytetarëve të tyre. Por, kompleksiteti i gjendjes në Siri nënkupton se fundi i regjimit mund të shkaktojë një tranzicion që dallon prej të tjerëve, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në aspektin e efekteve në rajon. Diplomatët bëjnë karrierë duke gjetur zgjidhje procedurale për dilemat e pazgjidhshme. Deri më tani, SHBA-ja është marrë me forma të ndryshme të tranzicionit politik në “Pranverën arabe”, pa ndonjë gabim dëmtues. Megjithatë, Siria paraqet sfidën më të madhe.
Autori ishte sekretar amerikan i Mbrojtjes në administratën e presidentit Jimmy Carter, kurse tani këshillon sekretarin Leon Panetta. Shkrimi u botua së pari në “Project Sindycate”