Kryetarja e Kuvendit takon Kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërine e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj.
KryetarjaTopalli, pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri zotit Haradinaj, shprehu kënaqësinë e veçantë të bisedës me një prej aktorëve kryesorë të përpjekjeve për liri dhe pavarësi të Kosovës, siç u shpreh ajo.
Nga ana e tij zoti Haradinaj, pasi uroi për marrjen e ftesës nga Shqipëria për anëtarësim në NATO, vlerësoi veprimtarinë e Kryetares Topalli dhe të Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen dhe nismat për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Unë ju falënderoj për zotësinë tuaj në kuadër të përpjekjeve që gjithë shteti shqiptar po bën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë shtete, tha zoti Haradinaj.
Kryetarja Topalli theksoi se njohja e mëtejshme e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare janë ndër prioritetet e axhendës së diplomacisë parlamentare, duke shtuar se: Insitucionet dhe autoritetet e të dy vendeve me vullnet dhe përkushtim duhet të bashkërendojnë veprimet në këtë proces.
Kryetarja e Kuvendit dhe zoti Haradinaj biseduan gjerësisht mbi sfidat me të cilat po përballet shteti i ri i Kosovës në konsolidimin e institucioneve dhe reformat në zhvillimin ekonomik.
Zoti Haradinaj shprehu kënaqësinë për përparimin e punimeve të rrugës Durrës-Kukës, që do të afrojë edhe më shumë Kosovën me Shqipërinë dhe do tI shërbëjë zhvillimit ekonomik të të gjithë rajonit.