Junker : Liberalizimi i vizave do të realizohet së shpejti.
Luksemburgu, vendi ku Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE-në, e sheh Shqipërinë në rrugën e duhur të integrimit në Bashkimin Europian dhe NATO.
Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ishte një rezultat i hapave të bëra nga Shqipëria dhe kemi besim se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në prill të 2009-tës do të bëhet, u shpreh në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker njëri prej personaliteteve më të rëndësishme jo vetëm të vendit të tij por edhe të Bashkimit Europian dhe politikës ndërkombëtare.
Zoti Junker theksoi se marrëdhëniet dhe dialogu politik mes dy vendeve është i shkëlqyer dhe përbën një bazë të mirë për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik.
Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë e kësaj vizite në Shqipëri pas takimit që ajo ka patur me zotin Junker para disa kohësh në Luksemburg.
Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e rëndësihme të dhënë nga Luksemburgu për MSA-në, marrjen e ftesës për NATO, si dhe për Kosovën.
Bashkimi Europian dhe NATO, tha Kryetarja e Kuvendit, janë objektiva të qarta tonat, promotorë të ecjes sonë përpara.
Përshpejtimi i proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor, theksoi Kryetarja e Kuvendit, do të përbëjë një garanci për të gjithë rajonin Ballkanik, paqen dhe stabilitetine tij.
Më tej biseda u fokusua në liberalizimin e vizave, çështje të cilën Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si shumë të rëndësishme për studentët dhe për të gjithë shqiptarët, të cilët pas pesë dekadave izolim meritojnë të lëvizin të lirë në Europë.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se realizimi së shpejti i Kartave të Identiteti dhe Pasaportave Biometrike, do të plotësojnë standardet për këtë lëvizje të lirë të qytetarëve.
Nga ana e tij Kryeministri Junker garantoi se liberalizimi i vizave do të bëhet i mundur së shpejti duke konfirmuar angazhimin serioz të Bashkimit Europain për këtë çështje.
Kryetarja e Kuvendit tha se mirëpret Kryetarin e Parlamentit të Luksemburgut në një vizitë zyrtare në Shqipëri për të thelluar kështu bashkëpunimin mes dy parlamenteve por edhe për të forcuar dialogun politik mes dy vendeve tona.