E Hënë, 2 Nëntor 2026

Topalli: Mbreti Zog, modeli i Ataturkut shqiptar, një lider vizionar që ëndërronte një Shqipëri moderne.

 

Historia e Mbretërisë së Shqipërisë vlen për tu studjuar në të gjithë gjerësinë e saj, për të gjithë bazën legale mbi të cilën u ngrit shteti shqiptar, përmes vizionit modern të Mbretit Zog.

Kështu u shpreh Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli pasi vizitoi ekspozitën e çelur me rastin e 80 vjetorit të Mbretërisë Shqiptare, e para e këtij lloji në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Falenderoj Familjen mbretërore dhe Ministrinë e Kulturës, vijoi zonja Topalli,  për këtë ekspozitë mjaft interesante, e para kaq e pasur me të gjithë fazat e jetës së Mbretit Zog. 

E shohim që në rininë e tij, pasi ka qenë mjaft i ri kur filloi angazhimet në politikë, i cili  i bën përshtypje ambjenteve të asaj kohe në Shqipëri dhe jashtë saj për inteligjencën e tij. Ishte një njeri vizionar, që ëndërronte një Shqipëri moderne. Besoj se modeli i tij ishte  modeli i Ataturkut shqiptar. Në kuptimin e sotëm dhe në artikulimin e sotëm bësoj se ishte një lider i vërtetë, i admirueshëm për reformat që bëri, për mendimin modern dhe aplikimin me kurajo të idesë së një shteti modern shqiptar që për atë kohë ishte jashtëzakonisht e vështirë.

Është ndoshta historia e parë e gjithë historisë së shtetit shqiptar që vlen për tu studjuar në të gjithë gjerësinë e saj, qoftë nga pikëpamja që unë e shoh si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë: për ligjet që janë bërë, për Kushteturtën, kodet, qarkoret, për të gjithë bazën legale mbi të cilën u ngrit shteti shqiptar për  të cilin merita kryesore, absolutisht, në ato vite është e Mbretit Zog, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin të pranishëm anëtarë dhe të afërm të Familjes Mbretërore, historianë, personalitete të kulturës, studjues shqiptarë e të huaj.

Ekspozita përmban foto nga jeta e Familjes Mbretërore, sende nga Pallati Mbretëror, veshje të ruajtura nga ajo periudhë e mjedise të improvizuara me orendi të Pallatit Mbretëror.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›