Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë mban fjalë përpara parlamentarëve bullgarë gjatë seancës së ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO nga ky parlament.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mori pjesë sot në një event historik për procesin e Integrimit të Shqipërisë, ratifikimin nga Parlamenti Bullgar i protokollit të anëtarësimit të Shqipëreisë e Kroacisë në NATO.
Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Bullgarsië, Georgi Pirinski, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si edhe homologu i saj kroat Luka Bebic, asistuan në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, seancë gjatë së cilës u ratifikua protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Bullgaria është kështu vendi i shtatë që ratifikon këtë protokoll brenda një muaji.
Kryetarja e Kuvendit ishte gjithashtu e ftuar në mënyrë të veçantë të mbante një fjalë përpara parlamentarëve bullgarë.
Në nisje të fjalës e saj para deputetëve të Kuvendit të Bullgarisë, Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si një event historik, si një privilegj të veçantë adresimin këtij Parlamenti, në një ditë kaq të veçantë, kur një vend tjetër mik ratifikon protokollin e pranimit të Shqipërisë në NATO.
Kryetarja e Kuvendit , në fjalën e saj në mënyrë të veçantë është ndalur në një ekspoze të reformave të ndërmarra nga Shqipëria në procesin e integrimit, reforma të vlerësuara nga raportet ndërkombëtare.
Ne mundëm të ecim përpara falë mbështetjes së popujve miq, ne e mbajtëm gjallë ëndrrën evropiane dhe e çuam atë më tej; në ndërmorëm reforma të guximshme dhe arritëm transformime kolosale dhe të gjitha këto në sajë të lidershipit të fortë, angazhimit, vendosmërisë, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë- ka theksuar Kryetarja e Kuvendit.
Reformat tona janë të pakthyeshmë ndaj edhe Shqipëria do tia dalë mbanë për tu renditur në krah të vendeve anëtare te BE-së.. Zemra e madhe shqiptare nuk na ka lënë në baltë dhe nuk do të na lërë sot, më shumë se kurrë. Shqipëria është tashmë në prag të NATO-s dhe në paradhomën e BE-së.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka falenderuar parlamentarët bullgarë për mbështetjen dhe vlerësimin me këtë votë pro protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Për më shumë fjala e Kryetares së KuvendittTë Republikës së Shqipërisë Jozefina Topalli para parlamentarëve bullgarë.
I nderuar z.Kryetar i Parlamentit
Të nderuar deputetë,
Të dashur kolegë,
Zonja dhe Zotërinj,
Është nder dhe një privilegj i veçantë, për mua, ti adresohem Parlamentit Bullgar pikërisht sot, në një ditë të veçantë - një vend tjetër mik sapo ka ratifikuar Protokollin e pranimit të Shqipërisë në NATO.
Kjo bën që Shqipëria ti afrohet, një hap më pranë, anëtarësimit me të drejta të plota në këtë Aleancë të mrekullueshme të lirisë.
Shqipëria, Bullgaria dhe vendet e tjera të territorit që njihet me emrin e maleve tuaja Ballkan kanë qenë, gjatë, pjesë organike e të njëjtit komonuellth romak, bizantin, bullgar, osman dhe së fundi, fatkeqësisht, edhe atij komunist. Ata kanë jetuar, gjatë, nën të njëjtën çati pa kufij politikë dhe me dyer të mbyllura.
Në Bullgari, studiuesit tuaj dëshmojnë enklava ilire të shek VII para Krishtit dhe në Ballsh të Shqipërisë zbulohet akti i pagëzimit të Borisit në fenë e krishtere. Kryeqyteti i perandorisë bullgare të Samuelit ishte Ohri dhe në Bullgari ndodhet fshati Arbanas me arkitekturë tipike shqiptare.
Ndërkohë ne dhe i tërë Ballkani jemi pjesë e të njëjtit mozaik Europian dhe nëse mungon një pjesë e mozaikut, mozaiku nuk perceptohet dot si i tillë.
Nëse i hedhim një sy itinerareve të vjetër rrugorë, hartave të Ptolemeut, Tabula Peutingerianas, Itinerarit Hierosomylitan shohim se arteriet janë po ato, si mijëra vjet më parë.
Pikërisht në këto arterie kanë pulsuar për mijëra vjet karvanët, mallrat, tregtarët dhe më së pari kultura, doket dhe folklori i afërt. Përgjatë tyre, si perlat në kolanë u rreshtuan kështjellat, manastiret, urat, pazaret dhe shtëpitë, të ngjashme me njëra tjetrën, në një raport diversiteti brenda unitetit europian.
Unë ndihem shumë krenare dhe e lumtur që më jepet mundësia tJu ofroj një ekspoze të përmbledhur të hapave të ndërmarrë nga vendi im në kuadrin e proceseve integruese.
Aktualisht, Shqipëria është shumë pranë anëtarësimit në NATO; ajo është në mbyllje të ciklit të ratifikimit nga vendet e BE-së të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian, gjë që padyshim përbën një hap thelbësor drejt anëtarësimit të saj në BE.
Unë mendoj se Shqipëria ia doli mbanë ti sigurojë këto pasaporta kualifikuese falë përpjekjeve të saj të parreshtura dhe të qëndrueshme për të ndërmarrë reforma; falë progresit reformues të arritur në fusha të ndryshme; falë dëshirës konstante për të ecur përpara drejt familjes së madhe europiane së cilës ne i përkasim.
Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbështetet nga të gjitha forcat politike dhe rreth 95% e popullsisë, sepse si pjesë e tyre, shqiptarët konsiderojnë të ardhmen të sigurt dhe të begatë.
Për të arritur këtë stad, ku jemi sot, popullit shqiptar i është dashur të kalojë një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Kemi vuajtur shumë, për vite me radhë, dhe historia jonë kombëtare i ngjan një vargani të gjatë dhimbjesh e vështirësish.
Një prej diktaturave më të egra komuniste në Europë u përpoq me të gjitha mënyrat për të shkatërruar shpirtin e popullit shqiptar; u përpoq të shuante vlerat, të cilat ne i mbrojmë fort; u përpoq aq shumë të mjegullonte vizionin dhe aspiratat e kombit tonë; u përpoq të shkatërronte, njëherë e përgjithmonë, sistemin tonë të besimit, vokacionin tonë perëndimor.
Por në këtë varg të gjatë fatkeqësish, vlera më e natyrshme dhe më e çmuar, ëndrra europiane, vazhdoi të ndriçonte, e rrënjosur thellë në identitetin tonë europian.
Ne mundëm të ecnim përpara falë mbështetjes së popujve miq; ne e mbajtëm gjallë ëndrrën europiane dhe e çuam atë edhe më tej; ne ndërmorëm reforma të guximshme, dhe arritëm transformime kolosale.
Dhe të gjitha këto u arritën në sajë të lidershipit të fortë, angazhimit, vendosmërisë, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë. .
Pas rreth 18 vjetësh, kur lamë pas njëherë e përgjithmonë regjimin totalitar, Shqipëria ka kthyer tashmë një faqe të re: nga historia e mbijetesës në historinë e ndryshimit, të transparencës dhe të progresit.
Sot, është një Shqipëri që luan një rol të rëndësishëm moderator në rajon. Gjatë këtyre viteve, për të arritur pikërisht këtu ku jemi sot, Shqipërisë i është dashur të përballet me mjaft sfida. Por ne të gjithë, gjithashtu, jemi të ndërgjegjshëm se shumë sfida të tjera na presin në të ardhmen.
Dëshiroj të theksoj se nuk ishte e lehtë, madje nuk ishte aspak e lehtë, por sot unë ndihem krenare që falë reformave të shumta politike, ekonomike dhe sociale të ndërmarra me kaq përpjekje e mundim gjatë këtyre viteve të fundit, ne bëmë të mundur që shqiptarët të përjetojnë ngjarje të shënuara historike.
Në prill 2008, ne ia dolëm mbanë të marrim ftesën e anëtarësimit në NATO dhe besojmë fuqimisht se Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e kësaj Aleance vitin që vjen, sepse po rritet cdo ditë numri i vendeve që po e ratifikojnë protokollin e NATO-s, sikurse kemi besim të plotë që brenda këtij viti do të përfundojë ratifikimi i MSA me BE-në, gjë që do ti lejojë Shqipërisë të kërkojë statusin e kandidatit në BE.
Shqipëria, falë vendosmërisë për tolerancë zero kundër krimit dhe performancës në këtë kontekst, nuk është më pjesë e hartës së vendeve trafikuese.
Në të vërtetë, Shqipëria nuk është vetëm një vend i sigurt, por ajo reflekton paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin.
Edhe raporti i fundit i Transparency International vlerësoi me nota të larta Shqipërinë për performancën qeverisëse të saj.
Gjatë këtyre viteve të fundit, Shqipëria ka ndërmarrë një revolucion të vërtetë fiskal. Si rezultat i luftës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, është bërë e mundu