Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë pret në takim Kryetarin e Parlamentit të Norvegjisë.Jagland: Shqipëria në rrugë të mbarë. Klima ekonomike jep siguri të plotë për investimet tona.
Shqipëria është në rrugë të mbarë. Imazhi i saj është përmirësuar ndjeshëm dhe klima e krijuar për biznesin i jep një siguri të madhe investimeve në Shqipëri.
Kështu u shpreh në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Kryetari i Parlamentit të Norvegjisë, Thorbjorn Jagland, një nga personalitet me karrierën më brilante jo vetëm në Norvegji, por në skenën e politikës ndërkombëtare.
Vizita e zotit Jagland është e para e një personaliteti të nivelit të tillë të lartë të Norvegjisë në Shqipëri. Dy krerët e parlamenteve të Norvegjisë dhe Shqipërisë biseduan gjerësisht për rritjen e bashkëpunimin jo vetem parlamentar por edhe mes dy vendeve në nivel politik dhe ekonomik.
Kryetarja e Kuvendit duke i uruar mirëseardhjen Kryetarit të Parlamentit të Norvegjisë shprehu mirënjohjen për mbështetjen e shtetit norvegjez në proceset integruese të Shqipërisë si dhe interesin për të thelluar bashkëpunimin me Norvegjinë, si dy vende partnere në NATO. Shqiptarët, tha Kryetarja e Kuvendit janë një popull që pavarësisht historisë së vështirë të mbijetesës kanë një mendësi perëndimore dhe i përkasin familjes së kombeve të lira.
Duke vlerësuar me nota shumë pozitive zhvillimet në Shqipëri, zoti Jagland tha se ndihet i lumtur që Shqipëria ka zënë vendin që i takon në familjen Euro-Atlantike.
Kryetari i Parlamentit të Norvegjisë tha se vendi i tij, një nga furnizuesit më të rëndësishëm të gazit në Europë, do të investojë 950 milion euro në fushën e energjisë në Shqipëri.
Ky fakt, është një tregues shumë i rëndësishëm i klimës së sigurt ekonomike në Shqipëri, klimë që nxit investimet e huaja dhe bashkëpunimin ekonomik. Nuk do të investonim një shifër të tillë nëse nuk do të gjenim këtë klimë ekonomike stimuluese në Shqipëri, theksoi ai.
Zoti Jagland vlerësoi arritjet në luftën kundër korrupsionit si dhe reformat fiskale që kanë krijuar një stabilitet ekonomik në Shqipëri.
Reformat fiskale tha Kryetarja e Parlamentit, kanë qënë rrënjësore. Lufta ndaj evazionit fiskal, reduktimi i shpenzimeve operative, ulja e taksave kanë sjellë një rritje ekonomike, rritje të ndjeshme pagash dhe dyfishim të përvitshëm të buxhetit. Kjo ka sjellë një interes gjithnjë e në rritje të investimeve të huaja në Shqipëri.
Duke u ndalur në zgjedhjet parlamantare, Kryetarja e Kuvendit theksoi se infrastruktura moderne zgjedhore e realizuar për herë të parë, vullneti maksimal i autoriteteve shqiptare janë tregues i një procesi zgjedhor të standarveve europiane.
Gjatë bisedës për zhvillimet në rajon, zoti Jagland vlerësoi rolin e Shqipërisë në stabilitetin e Ballkanit.
Roli i Shqipërisë, anëtarësimi juaj në NATO dhe afrimi drejt BE-së është shumë i rëndësishëm edhe për stabilitetin e rajonit tha ai, duke shtuar se Shqipëria ka një vlerë të çmuar bashkëjetesën dhe tolerancën fetare dhe etnike, vlerë që e bën Shqipërinë një model në rajon, tha Kryetari i Parlamentit të Norvegjisë.
Roli i Shqipërisë, anëtarësimi juaj në NATO dhe afrimi drejt BE-së është shumë i rëndësishëm edhe për stabilitetin e rajonit tha ai, duke shtuar se Shqipëria ka një vlerë të çmuar bashkëjetesën dhe tolerancën fetare dhe etnike, vlerë që e bën Shqipërinë një model në rajon, tha Kryetari i Parlamentit të Norvegjisë.