E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit uron deputetët e rinj të Shqipërisë



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka uruar dje deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë të zgjedhur në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë fjalës së mbajtur në një takim në zonën e saj elektorale Topalli është shprehur se nuk ka vend më të nderuar dhe privilegj më të madh se sa të jesh përfaqësues i një kombi. “Unë shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë urimet më të mira të gjithë deputetëve të zgjedhur dhe atyre që më 7 shtator do të ulen për herë të parë në Parlament”, - është shprehur Topalli në ceremoninë e fillimit të punimeve të një shkolle nëntëvjeçare në fshatin Kosmac. “Nuk ka vend më të nderuar, privilegj më të madh se sa të jesh përfaqësues i një kombi dhe të jesh një ndër 140 deputetët e Kuvendit, për të qenë sa më afër vullnetit të asaj që mendojmë, të asaj që dëshirojnë, kërkojnë dhe mendojnë votuesit tuaj”, - është shprehur Topalli. Gjatë fjalës së saj ajo ka shprehur bindjen se do të ketë bashkëpunim midis pozitës dhe opozitës, veçanërisht për ligjet dhe vendimet që lidhen me procesin integrues të vendit në Bashkimin Europian. “96% e shqiptarëve kanë votuar pro orientimit drejt BE-së dhe proceseve integruese. Kjo do të thotë që ne, për kalimin e ligjeve integruese, pa dyshim, do të bashkëpunojmë me opozitën dhe ajo do të bashkëpunojë me ne. Sepse unë besoj që ajo ndjehet përfaqësuese e atyre votave që vijnë nga e majta, që janë një numër i caktuar dhe kanë shprehjen e tyre të vullnetit për proceset integruese. Unë kam arsye të besoj se bashkëpunimi për çështje të mëdha dhe proceset integruese do të jetë e do të forcohet në interes të kombit, aq më tepër që shoqëria është maturuar, aq më tepër që kemi një eksperiencë të jashtëzakonshme me konsensuse të mëdha në gjithë këto gjëra që kemi realizuar këto vite, me konsensuse historike gjatë këtyre viteve.
Unë jam e sigurt se ky është një zhvillim siç ndodh në çdo parlament tjetër të botës me programe të ndara. Unë e shoh me shumë optimizëm Parlamentin e ardhshëm dhe në mënyrë të veçantë qeverisjen e ardhshme e shoh dhe besoj se do të jetë shumë eficiente dhe efikase dhe funksionale”, - është shprehur Topalli.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›