E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti, si do të organizohen zgjedhjet për kryetarin e ri të PS-së

Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së do të miratojë kandidatët dhe platformat e tyre. Zgjedhjet do të zhvillohen me pjesëmarrjen e anëtarësisë. Votimi “një anëtar, një votë” përcakton kryetarin e ri

Shaban Sulçe

Vendimi i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për të respektuar nenin e statutit, që parashikonte ndërprerjen e mandatit të kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve, tashmë i ka hapur rrugën procesit të votimit të anëtarësisë socialiste për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj partie. Ky proces, i bazuar mbi parimin “një anëtar, një votë”, do të ketë shumë elemente të përbashkëta me zgjedhjet parlamentare, si fushata në bazë, ngritja e komisioneve që do të numërojnë votat, siguria dhe shpërndarja e fletëve të votimit, apo përgatitja e listës së personave që kanë të drejtë vote. Deri tani, pritet të jenë tre kandidaturat kryesore që synojnë drejtimin e partisë më të madhe të së majtës. Dy kandidaturat e shpallura janë ato të kryetarit aktual Edi Rama dhe deputetit dhe anëtarit të Kryesisë Arben Malaj, ndërkohë që kandidimin për kreun e PS-së e ka lënë të nënkuptohet edhe deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, i cili ka deklaruar se do të paraqesë platformën për rimëkëmbjen e PS-së. Por, pavarësisht deklaratave, do të jetë Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, që do të mblidhet më 29 gusht, ai që do të miratojë zyrtarisht kandidaturat për kreun e Partisë Socialiste.

Kongresi
Kongresi i Jashtëzakonshëm do të mblidhet më 29 gusht, pas një vendimi të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të shprehur në rezolutën e miratuar prej saj. Kongresi i Jashtëzakonshëm do të diskutojë dhe miratojë rezolutën, e cila e cilëson të papranueshëm rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërkohë që pika e dytë do të jetë diskutimi i nenit të Statutit për miratimin e kandidaturave për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Socialiste. Sipas Statutit, kandidaturat për kreun e PS-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Kandidatët duhet të paraqesin përpara të pranishmëve në Kongres platformat e tyre, ndërkohë që Kongresi do të vendosë datën e zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste sipas parimit “një anëtar, një votë” jo më vonë se dy muaj nga data e zhvillimit të Kongresit. Votimi do të bëhet i fshehtë.

Fushata
Pas miratimit të kandidaturave, kandidatët për kreun e Partisë Socialiste do të nisin një fushatë të mirëfilltë me degët dhe anëtarësinë e PS-së në të gjithë Shqipërinë. Gjatë fushatës kandidatët do të përpiqen që të sigurojnë mbështetjen e anëtarësisë socialiste, pasi do të jetë kjo e fundit ajo që do të përcaktojë me votën e saj emrin e kreut të ri të Partisë Socialiste. Fushata pritet të fillojë menjëherë pas përfundimit të punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm.

Votimi
Votimi do të jetë si proceset e votimit që kemi parë në zgjedhjet në Shqipëri. Në të gjitha degët e PS-së do të ngrihen komisione, të cilat do të përbëhen nga përfaqësues dhe mbështetës të kandidaturave për kreun e PS-së. Komisionet do të kujdesen për zhvillimin e një procesi normal dhe për elementet e tij, si listat e votuesve, fletët e votimit dhe numërimin e votave. Procesit të votimit do t’i paraprijë hartimi dhe verifikimi i listave të anëtarëve, të cilët do të kenë të drejtë vote. Sipas të dhënave të publikuara nga Partia Socialiste, numri i anëtarëve të saj në të gjithë vendin është rreth 60 mijë.

Dy betejat e fituara nga Edi Rama për kreun e Partisë Socialiste

Edi Rama ka fituar deri tani dy gara zgjedhore për të qenë kryetari i Partisë Socialiste. Në vitin 2005 Rama u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste pas votimit që bëri Kongresi i Jashtëzakonshëm i kësaj partie, ndërsa në vitin 2007 Rama u konfirmua në krye të PS-së me mbi 90% të votave, pas votimit “një anëtar, një votë” që zhvilloi anëtarësia socialiste. Në vitin 2005 Rama kandidoi përballë ish-Presidentit të Republikës dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Rexhep Meidani. Nga 449 votues në Kongres, Rama fitoi 297 vota, kundrejt 151 votave të Meidanit, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Ndërkaq, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2007, Partia Socialiste aplikoi për herë të parë zgjedhjen e kryetarit të saj me anë të parimit “një anëtar, një votë”, në një proces ku mori pjesë e gjithë anëtarësia socialiste. Përballë kandidaturës së Ramës ishte kandidatura e Shkëlqim Metës, i cili mori një rezultat të dobët, pasi Edi Rama u konfirmua në drejtimin e Partisë Socialiste me mbi 90% të votave.

Statuti, anëtarët e PS-së që kanë të drejtë vote për kryetarin e ri

Sipas Statutit të Partisë Socialiste, anëtari i partisë ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet drejtuese të Partisë, të propozojë dhe të propozohet kandidat përfaqësues i Partisë në organet e pushtetit legjislativ e ekzekutiv dhe të njihet me veprimtarinë e përfaqësuesve të Partisë në këto organe. Anëtari i PSSH-së është i detyruar: të bëjë pjesë në një organizatë të PS-së, të paguajë rregullisht kuotizacionin e anëtarësisë;
të mos bëjë pjesë në parti të tjera politike shqiptare, brenda ose jashtë Republikës së Shqipërisë; të mos kandidojë si i pavarur ose për forcat e tjera politike dhe as të kontribuojë në favor të tyre në fushatat zgjedhore dhe të mos marrë pjesë në manifestime që bien ndesh me qëndrimin politik të partisë. Ndaj anëtarit të PSSH-së që mungon pa arsye për më shumë se 6 muaj në mbledhjen e Organizatës Socialiste, nuk paguan kuotizacionin e anëtarësisë: për më shumë se 3 muaj për anëtarin e Asamblesë Socialiste dhe të Asamblesë Kombëtare të PSSH-së; për më shumë se 6 muaj për anëtarin e partisë, shkel vendimet e forumeve, cenon rëndë normat shoqërore dhe etikën e sjelljes në raportet partiake, kandidon si i pavarur apo për forcat e tjera politike ose kontribuon në favor të tyre në fushatat zgjedhore pa autorizim të forumeve përkatëse të partisë, nuk merr pjesë në votime elektorale pa arsye të përligjura, deklaron publikisht qëndrimin kundër kandidatit përfaqësues të partisë, merren këto masa disiplinore: vërejtje, heqje e të drejtës së votimit në proceset zgjedhore në parti deri në 1 vit, çregjistrim nga partia.

Malaj: “Do të konkurroj në Kongres me platformë politike”

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka deklaruar se po përgatit këto ditë një platformë politike për të konkurruar në Kongresin e 29 gushtit për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Malaj tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pjesëmarrja aktive e Partisë Socialiste në Parlament është një domosdoshmëri për detyrat dhe përfitimet që Bashkimi Europian i ka paraqitur Shqipërisë për investime dhe liberalizimin e vizave.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›