Kryeveprat e kompozitorëve botërorë në një koncert në galerinë “Jozef” në Durrës

Pjesë nga kryevepra të kompozitorëve me famë botërore ishin pjesë e një koncerti të instrumentistëve Rezart Kapetani dhe Silvana Skënderi që u shfaq mbrëmjen e kaluar në sallën e galerisë së arteve "Jozef" në qytetin e Durrësit. Violinisti Kapetani dhe pianistja Skënderi, të dy artistë me një përvojë ndërkombëtare, bashkë me teknikën mjaft të mirë dëshmuan dhe ndjeshmërinë e veçantë interpretative në koncertin që u ndoq nga mësues dhe nxënës të shkollës së mesme artistike "Jan Kukuzeli" si dhe artdashës të muzikës instrumentale. Në pjesën e parë të programit u prezantua vepra "Dhurata" e Çajkovskit dhe Duo për violinë dhe piano, shkruar nga Poulenc në nderim të poetit të madh spanjoll Federico Garsia Lorka. Të pranishmit duartrokitën lojën e instrumentistëve, të cilët në pjesën e dytë kishin zgjedhur "Tangon e madhe" nga Piazolla dhe "Fantazinë e shkëlqyer" të Jeno Hubay. Violinisti Kapetani, i cili nga viti 1994 punon në Spanjë si solist dhe pedagog, erdhi në Durrës pas një sërë koncertesh të organizuara në Spanjë, Itali, Francë, Austri, Rusi, etj. Silvana Skënderi është pianiste e Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar. Ajo ka bashkëpunuar edhe me artistë të tjerë në disa koncerte të muzikës së dhomës të organizuara brenda dhe jashtë vendit.
...