Nis puna në Vlorë për sistemimin e plazheve për sezonin e ri turistik
Bashkia e Vlorës ka nisur punën për sistemimin e plazheve që shtrihen në bregdetin e këtij qyteti, në kuadër të sezonit të ri turistik që pritet të çelet zyrtarisht në 8 maj. "Ky është një proces i përvitshëm, që kryhet në prag të fillimit të sezonit për shkak të varfërimit të plazheve nga rëra në stinën e dimrit", tha nënkryetari i bashkisë së Vlorës, Halim Dervishaj. Sistemimi i plazheve është një nga drejtimet kryesore të përgatitjeve që i paraprijnë çeljes së sezonit turistik veror 2009. Puna ka nisur me pastrimin e plazheve nga mbetjet e ndryshme si dhe mbushjen e tyre me rërë. "Në ditët në vazhdim është programuar fillimi i punimeve për riparimin e rrugëve të dëmtuara përgjatë bregdetit si dhe plotësimi i tyre me ndriçim dhe elemente të sinjalistikës, atje ku ajo ka dalë jashtë funksionit", shtoi nënkryetari i bashkisë. Në bregdetin e Vlorës funksionojnë dy plazhe publike si dhe dhjetra të tjerë që administrohen nga subjekte private, kundrejt detyrimeve ndaj qeverisjes vendore. Aplikimi i këtyre dy formave është shoqëruar me përmirësimin e standardeve në këto mjedise shlodhjeje, ku përfshihen dhe elementë të ndryshëm për argëtimin e pushuesve. Plazhi i Ri në afërsi të Ujit të Ftohtë mbetet më i preferuari për shkak të hapësirës së gjerë prej disa dhjetëra mijë metër katrorë, si dhe pastërtisë së rërës dhe ujit. Ai frekuentohet jo vetëm nga qytetarë vlonjatë, por edhe nga rrethe të tjera të vendit. Në bregdetin e këtij qyteti funksionon dhe Plazhi i Vjetër, ku vitet e fundit numri i pushuesve ka ardhur në rënie të vazhdueshme. Çdo fillim sezoni bashkia e qytetit të Vlorës akordon fonde të konsiderueshme për sistemimin e tyre, ndërkohë që lidh kontrata me subjektet private që shfrytëzojnë hapësira të tjera më të vogla kundrejt detyrimeve financiare të miratuara në këshillin bashkiak. Prej disa vitesh, Vlora është cilësuar "Mbretëresha e turizmit shqiptar". Numri i pushuesve, që frekuentojnë mjediset bregdetare të saj, në sezonin e verës ka ardhur në rritje nga viti në vit. Gjatë vitit të kaluar, në Vlorë u regjistruan rreth 220 mijë pushues vendas dhe të huaj.
...