E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazari i Ri, në kushte të mira higjeno-sanitare

Kushtet higjeno-sanitare në tregun tek Pazari i Ri në Tiranë, ku ushtrojnë aktivitetin rreth 100 subjekte, kanë pësuar përmirësime të dukshme gjatë muajve të fundit, sipas të dhënave të inspektorëve sanitarë të kryeqytetit. Përmirësime konstatohen kryesisht në merkaton e mishit, por edhe në mjedise të tjera ku tregtohet bulmet, apo produkte të tjera. “Kontrollet e vazhdueshme të inspektorëve sanitarë të Tiranës, inspektorëve veterinarë dhe bashkisë kanë detyruar tregtarët që të marrin masa në këtë drejtim”, tha drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal i Tiranës, (ASHR) Mhill Gecaj. Sipas tij, në kushtet e rritjes së temperaturave, inspektorët sanitarë të Tiranës kanë intesifikuar kontrollet për tregtimin e mallrave ushqimorë, në tregjet me shumicë apo me pakicë. Përmenden këtu tregu tek ish-uzina Dinam, Stacioni i Trenit, ai i rrugës Artan Lenja, i "Qytetit të Nxënësve", etj. Vitin e kaluar, Sektori i Higjenës Ushqimore pranë ASHR-së ushtruan kontrolle në 18 294 objekte ushqimore, për verifikimin e gjendjes higjeno-sanitare, kontrolle që janë shoqëruar me masa nga gjoba deri në mbyllje të aktivitetit. Gjatë së njëjtës periudhë inspektorët sanitarë asgjësuan produkte ushqimorë jashtë standardeve të konsumit, me vlerë të përgjithshme mbi 50 milion lekë. Përsa i përket problemeve shëndetësore që shkaktohen nga konsumimi i ushqimit, deri tani nuk janë shënuar raste të tilla. Megjithatë, vëren Gecaj, inspektorët duhet të jenë më ekzigjentë për zbatimin e rregullave higjeno-sanitare në të gjitha hallkat e tregtimit të mishit dhe akulloreve. Inspektorët sanitarë të Shërbimit të Higjenës ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme higjieno-sanitare në tregjet të ushqimor të qytetit dhe rrethit të Tiranës, duke pasur si prioritet mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve."Nga këto kontrolle janë përjashtuar ambulantët, që janë subjekt i policisë bashkiake dhe të komunave", thotë drejtori i ASHR-së, i cili vlerëson bashkëpunimin e deritanishëm me këto struktura.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›