Kryq fetar mbi lapidarin e veprës së bonifikimit
SARANDE - Një kryq fetar ka "mbirë" ditët e fundit mbi trupin e lapidarit, simbol i një vepre historike që mban vitin 21 qershor 1959, në fshatin çaush, komuna Aliko. Memoriali i ngritur në një kodër të këtij fshati, pas përfundimit të punimeve për bonifikimin e fushës së Vurgt, po shndërrohet në një kryq, ndërkohë që mësohet se për ngritjen e tij nuk është kërkuar, por as edhe nuk është dhënë leje ndërtimi. Kështu i është përgjigjur pyetjes sonë kryetari i komunës së Alikos, Ilia Thanasi. Sipas tij, "veprimi është tjetërsim i pakuptimtë pasi nuk mund të veprojmë mbi një objekt që ka një histori. Në rastin konkret lapidarin që është ngritur në kujtim të bonifikimit të fushës së Vurgut. Këtij veprimi të shëmtuar tha kryekomunari Thanasi i mungon çdo bazë ligjore. Asnjë kërkesë nuk është bërë në komunë për diçka të tillë ndërsa nuk është lëshuar asnjë leje ndërtimi nga urbanistika e komunës". Ndërsa ende nuk dihet se kush e ka porositur ndërtimin e kryqit dhe financuesin e punimeve, Thanasi ka urdhëruar bllokimin e punimeve. sh.d