Korçë, sonte në mbrëmje starton Festivali i Birrës
KORçE - Sonte në mbrëmje çelet edicioni i katërt i Festës së Birrës. Organizatorët janë duke i dhënë dorë përgatitjeve të fundit, për të çelur mbrëmjen e së enjtes këtë festë madhështore. Për katër net, në datat 12-15 gusht, në ambientet e Parkut "Rinia" do të zhvillohet kjo festë mjaft popullore, që simbolizon jo vetëm një qytet të festave, por edhe krenarinë korçare: "Birra Korçën". Organizatorët e Bashkisë Korçë, një ditë para fillimit të festës së birrës, nëpërmjet një konference për shtyp bënë të ditur detaje të organizimit të saj për këtë vit. Pas suksesit të tre viteve më parë, kjo festë vjen këtë vit, në edicionin e katërt të saj, e shumëfishuar në të gjitha komponentët. Slogani i festes i përdorur edhe 3 vitet e kaluara: "Festa e birrës...vetëm në Korçë", tashmë është një realitet. Korça është i vetmi qytet në Shqipëri që organizon festen e birrës, duke e kthyer Korçën në qendrën e festimeve verore në Shqipëri. Këtë vit është rritur numri i kompanive pjesëmarrëse, të cilat së bashku me sponsorët kanë siguruar dhe mbështetjen kryesore financiare për realizmin e festës së birrës. Kontributi financiar i bashkisë zë më pak se 10% të buxhetit të festës. Firma dhe kompani të njohura kanë dhënë kontributin e tyre për mbarëvajtjen e Festës së Birrës, ku vendin kryesor e zë "Birra Korça". Organizatorët bënë të ditur se është shtuar kapaciteti i tavolinave dhe stolave që do të vihen në dispozicion të qytetarëve, të cilat do të bëhen pjesë e festës në të katër netët e saj. Për të gjithë qytetarët do të vihen në dispozicion ambiente hidro-sanitare. Ambienti i festës do të zbukurohet dhe nga elementë të veçantë dekorimi, ndryshe nga vitet e kaluara. Logoja zyrtare mbetet ajo e vitit te kaluar, si element identifikues i festës. Këtë vit spoti publicitar, materialet promocionale, do të ofrojnë si animim gota birre të shoqëruara me shprehje të ndryshme humoristike për birrën. "Shprehja që ne kemi zgjedhur të veçojmë këtë vit në materialet promocionale dhe bluzat e festës është: "Gjithmonë ka vend për një birrë! Të mblidhemi të gjithë së bashku për të festuar me krenari në festën më të madhe në Shqipëri, Festën e Birrës. Programi i festës do të nisë rreth orës 19:00 dhe do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit", - pohojnë burimet e bashkisë. Këtë vit, një vend i veçantë do t'i lihet dhe serenatës korçare dhe më shumë se 15 grupeve "live ", që do të performojnë në skenë, mes tyre për herë të parë grupet: Tankus the Henge dhe The Martin Harley Band. g.a