E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeti i përdorur për largimin nga vendi i ngjarjes, u gjet i braktisur tek "Myslym Shyri" Grabitja e bankës, dy persona të dyshuar Tiranë, gjurmët në motor tradhtojnë hajdutët e 3.5 milionëve

Dy persona konkretë janë identifikuar si autorë të grabitjes së 3.5 milionë lekëve në filialin e bankës, që u sulmua me armë tri ditë më parë në Tiranë.

Një urdhër ndalimi është formuluar nga grupi i hetimit për këta dy persona, të cilët mësohet se janë identifikuar pas ekzaminimit të gjurmëve që u gjetën në një motor të braktisur në rrugën "Myslym Shyri", disa orë pas grabitjes së ndodhur në filialin e bankës tek rruga e "Kavajës" në Tiranë. Burime nga grupi hetimor, thanë se dy personat që besohet se janë mbështetur edhe nga një bashkëpunëtor i tretë, pas grabitjes së parave në bankë nën kërcënimin e armës, kanë dalë nga filiali dhe fillimisht kanë ecur me motor në drejtim të "21 Dhjetorit". Pasi kanë dalë në unazë, ata kanë vazhduar lëvizjen me motor deri tek hyrja e rrugës "Myslym Shyri". Pasi kanë ecur për disa metra, grabitësit kanë braktisur motorin dhe janë larguar, por pak orë më pas policia ka gjetur mjetin dhe ka kryer ekzaminimet për gjurmët e lëna nga të dyshuarit. Burime nga grupi i hetimit kanë pohuar dje se kanë dy emra konkretë personash të dyshuar në lidhje me grabitjen e bankës. Identifikimi i tyre mësohet se është bërë nga ekzaminimi i gjurmëve të gjetura në motor, pasi kasetat e kamerave të bankës nuk kanë ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes, për shkak se autorët kanë qenë të maskuar, ndërsa imazhet e fiksuara nuk kanë qenë shumë të qarta.
Grabitja e 3.5 milionëve
Mëngjesin e të martës, në ora 09:15, tre persona të maskuar kanë neutralizuar rojën dhe kanë hyrë brenda filialit të bankës tek rruga e Kavajës. Njëri prej grabitësve, i cili sipas dëshmive mbante një pistoletë në duar, ka kërcënuar punonjësit e bankës duke u kërkuar të dorëzonin paratë, që ndodheshin në arkë. Pasi kanë marrë paratë, autorët e krimit kanë dalë jashtë. Njëri prej tyre është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes, ndërsa dy të tjerët kanë lëvizur me një motor për të shmangur trafikun e rënduar në rrugë. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet për grabitjen. Disa orë më vonë, shërbimet e policisë u informuan se në rrugën "Myslym Shyri" ishte gjetur i braktisur motori i përdorur në grabitjen e bankës. Ditën e djeshme prokuroria ka kërkuar autorizim nga gjykata për kryerjen e veprimeve hetimore, me qëllim identifikimin e plotë të autorëve të ngjarjes si dhe arrestimin e tyre. Dyshohet se autorët e ngjarjes kanë precedentë penalë të mëparshëm në grabitje bankash, ndërkohë që po hetohen në lidhje me një vjedhje të një tjetër banke, ndodhur disa muaj më parë tek rruga "Myslym Shyri" në kryeqytet, ku arritën të merrnin 5 milionë lekë. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›